Tërhiqet në tërësi investimi nga KB IDEF
Bordi Drejtues ka vendosur që të tërheqë në tërësi investimin nga fondi i Kleinwort Benson Institutional Developed Equity Fund H EUR (KB IDEF) prej rreth 65 milionë euro.
Bordi vendosi t’i ulë alokimet në fondet me aksione të korporatave dividend-paguese për shkak të pritjeve jo të larta për atë strategji, dhe t’i orientojë ato kryesisht tek fondet e aksioneve me menaxhim të drejtpërdrejt risku.
FKPK-ja i kishte të angazhuara dy fonde me aksione dividend-paguese (Pictet High Dividend dhe KB IDEF) dhe bazuar në performancat korresponduese, sidomos në 12 muajt e fundit që kishte përplot turbullira, u vlerësua se është fondi i Pictet ai i cili ofron më shumë stabilitet dhe gjasa për suksese në të ardhmen. Për dy vjet sa u mbajtën investimet me KB IDEF u realizuan fitime neto prej €7.04 milionë (12.16%).
Nordea GSEF, që është duke menaxhuar mirë me riskun e aksioneve në portofolin e saj investues, do t’i besohen 50 milionë euro shtesë të financuara nga mjetet e tërhequra prej KB IDEF. Para investimeve shtesë, mjetet e dërguara në Nordea GSEF (nga mesi i 2014-s) ishin 64 milionë euro dhe kishin gjeneruar kthim prej 16.7 milionë euro.