Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) është institucion publik i pavarur dhe jo-për-profit, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. FKPK është krijuar sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribuues kursen për pension në një llogari personale.

FKPK-ja është themeluar në dhjetor të vitit 2001 dhe ka filluar aktivitetin në gusht të vitit 2002 – për të administruar dhe menaxhuar kontributet e obligueshme pensionale (dhe vullnetare) të të punësuarve në Kosovë. Aktivitetin e përgjithshëm të FKPK-së e rregullon Kuvendi i Kosovës, ndërsa e mbikëqyrë Banka Qendrore e Kosovës (BQK). FKPK-ja është e angazhuar kryekëput për mbajtjen dhe investimin e kontributeve pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës.

Administrimi i këtyre llogarive individuale është përgjegjësi ligjore, megjithatë paratë e kursyera mbesin pronë vetanake e kontribuuesve. Edhe pse pronë private, mandati i këtyre kursimeve është specifik: ato mund të përdoren vetëm për pension – dhe nuk mund të përdoren ose tërhiqen përpara moshës së pensionimit për asnjë arsye tjetër (psh. të merren për hua, për trajtime mjekësore e të ngjashme).

Sa janë me FKPK-në mjetet pensionale investohen sipas parimeve të investimeve të kujdesshme të paracaktuara me ligj. Investimet bëhen nga Bordi Drejtues i FKPK-së me qëllim që kursimtarëve kosovarë t’iu rritet vlera e kursimeve pensionale, dhe që në afate të gjata t’ju mundësohet ofrimi i pensionit më të mirë të mundshëm. Investimet bëhen në klasa të ndryshme investuese, dhe përmes tyre në tregje botërore dhe industri nga më të ndryshmet, në mënyrë që të shpërndahet dhe kështu të zvogëlohet rreziku i mundshëm nga investimet, sikurse vlerësohet e arsyeshme nga Bordi Drejtues.

Ligji nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale në Kosovë, së bashku me amandamentimet e tij, ia jep FKPK-së, përmes Bordit Drejtues, kompetencat dhe të drejtat e administruesit të besuar për fondet pensionale (Neni 5.1), dhe i përcakton atij të drejtat lidhur me fondet pensionale duke përfshirë, por duke mos u kufizuar vetëm në (Neni 5.2):

  • udhëheqjen e tenderit për përzgjedhjen e menaxhues-it/ëve të mjeteve dhe mbajtësit të mjeteve ose instrumenteve për investime të hapura në pajtim me këtë Ligj;
  • zbatimin e marrëveshjeve me menaxhues-in/it e mjeteve, mbajtësit, instrumentet për investime të hapura, llogaritarët, revizorët, avokatët dhe kryerësit e tjerë të shërbimeve të Fondit;
  • kërkimin dhe pranimin e informacionit nga drejtorët e mjeteve, instrumentet për investime të hapura, mbajtësit e mjeteve dhe kryerësit e tjerë të shërbimeve për të gjitha transaksionet në emër të Fondit, duke përfshirë edhe votimin e aksioneve që i mban Fondi;
  • miratimin e parimeve të investimeve për Fondin;
  • shkarkimin dhe zëvendësimin e drejtorit të mjeteve, instrumenteve për investime të hapura, mbajtësve të mjeteve dhe kryerësve të tjerë të shërbimeve të Fondit;
  • pagimin e fitimeve të llogarive individuale për pensionet e kursyera siguruesve të anuiteteve me qëllim të blerjes së pensioneve për pjesëmarrësit dhe përfituesit në përputhje me këtë ligj;
  • lidhjen e marrëveshjeve për blerjen, shitjen, dhënien ose marrjen me qira të patundshmërive apo pajisjeve të nevojshme për funksionimin e Fondit;
  • punësimin e personelit ekzekutiv dhe joekzekutiv të Fondit;
  • lidhjen e marrëveshjeve të sigurimeve, duke përfshirë edhe sigurimin fiduciar për kompensim për Bordin Drejtues, me kompanitë e sigurimeve të licencuara në Kosovë ose në shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik;
  • përgatitjen e buxhetit të cilin e miraton Bordi Drejtues;
  • caktimin e tarifave të arsyeshme të bazuara në shpenzime të çdo pjesëmarrësi për administrimin e llogarive individuale, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në baza vjetore.

FKPK-ja e ka zyrën e saj kryesore dhe të vetme në Prishtinë, kurse shërbime për kontribuuesit dhe përfituesit e kursimeve për pension kryhen edhe në gjashtë qendrat e tjera të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në: Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.

FKPK-ja udhëhiqet nga Bordi Drejtues, i cili përbëhet nga tetë anëtarë: pesë anëtarë profesionalë me përvojë së paku 10-vjeçare në lëminë e pensioneve ose investimeve; dy anëtarë përfaqësues (njëri i punëdhënësve dhe tjetri i të punësuarve); si dhe një përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, pa të drejtë vote. Të gjithë anëtarët e Bordit emërohen nga Kuvendi i Kosovës me mandat 4-vjeçar, me mundësi të rizgjedhjes. Nëse mandati i anëtarëve të Bordit skadon dhe asnjë anëtar i ri nuk është emëruar, atëherë anëtarët ekzistues të Bordit do ta vazhdojnë mandatin njëherë për nëntëdhjetë ditë.