Kursimet pensionale tërhiqen në rastet në vijim:

 

  • PENSION I MOSHËS

    KUR MUND TË TËRHIQEN?

    Mosha e pensionimit aktualisht është 65 vjeçare. Kontribuuesi duhet të ofrojë dëshmi për moshën e pensionimit përmes një dokumenti valid të identifikimit.

    SI MUND TË TËRHIQEN?

    Varësisht nga bilanci i kursimeve në datën e aplikimit, kursimet pensionale tërhiqen siç vijon:

    Nëse bilanci juaj është deri në €3,000 kontribuuesi mund të ofrojë llogari të cilësdo bankë. FKPK do t’i mbulojë shpenzimet bankare për transferet dalëse tek bankat që operojnë në Kosovë. Çdo tarifë hyrëse që ngarkohet nga banka e kontribuuesit do të mbulohet nga vetë përfituesi.

    Nëse bilanci është  më i madh se €3,000 përfituesi do të kalojë në programin për Tërheqje në Faza të kursimeve pensionale. Tërheqja në faza është e rregulluar me ligj dhe rregullën përkatëse të BQK-së. Aplikuesi do të ketë mundësinë që 20% të bilancit ta tërheq përnjëherë, ndërsa pjesën tjetër çdo muaj prej minimumi €200 ose maksimumi 1% e bilancit total (kur shuma është mbi €20 mijë).

    Tërheqja në faza bëhet vetëm nga bankat e kontraktuara nga FKPK-ja për administrimin e tërheqjes në faza. Banka e kontraktuar do të hap një llogari të veçantë kursimesh për aplikuesin. Në këtë llogari do të transferohet i gjithë bilanci i aplikuesit. Çdo muaj, më së largu në ditën e dytë të punës të secilit muaj, Banka do të bëj pagesën e këstit mujor. Këto pagesa mujore do të vazhdojnë derisa të shterret i gjithë bilanci.

    DOKUMENTET E NEVOJSHME

    Tërheqje me bilanc mbi prag të Tërheqjes në Faza

    1.      Dokument valid identifikimi i kontribuuesit
    2.      Deklarim (gjatë aplikimit) për bankën e preferuar (NLB, BE, BPB, BKT)

    Tërheqje me bilanc nën prag të Tërheqjes në Faza

    1.        Dokument valid identifikimi i kontribuuesit
    2.        Dëshmi për llogari aktive bankare në Kosovë (vlen vetëm konfirmimi nga banka)

    Shënim: Në rastin e pensionimit (qoftë të moshës, trashëgimisë, invaliditetit ose shtetasve të huaj), tërheqja e kursimeve pensionale nga FKPK i nënshtrohet po ashtu tatimit në të ardhurat personale, sipas legjislacionit në fuqi.

    Kontratat me bankat në Kosovë për tërheqjen e pensionit të moshës:

    Kontrata me BKT

    Kontrata me BPB

    Kontrata me Bankën Ekonomike

    Kontrata me NLB

  • TRASHËGIMIA E KURSIMIT

    Kur kontribuuesi vdes para arritjes së moshës së pensionit, kursimet trashëgohen nga përfituesit dhe paguhen përnjëherë (minus tatimi në të ardhura personale). Rendi i përfituesve është si në vijim:

    1. Bashkëshorti/ja
    2. Fëmijët
    3. Tjerë/Alternativ

    Nëse kontribuuesi i ndjerë ka lënë bashkëshorten, bashkëshorti/ja do të trashëgojë 100% të bilancit të kursimeve.

    Nëse kontribuuesi i ndjerë ka lënë vetëm fëmijët, fëmijët trashëgojnë barabartë apo ndryshe siç janë pajtuar në aktin e trashëgimisë.

    Nëse kontribuuesi i ndjerë nuk ka lënë bashkëshort/e dhe/ose fëmijë, përfituesit tjerë/alternativë trashëgojnë në mënyrë të barabartë apo ndryshe, siç janë pajtuar në aktin e trashëgimisë.  Personat që në të kaluarën janë përcaktuar si trashëgues potencial alternativ përmes formularit të përcaktimit të përfituesit (i cili formular ka qenë i nënshkruar dhe i arkivuar në FKPK), mund ta përdorin atë formular vetëm si dokument shtesë në përcaktimin e trashëgimisë tek noteri/gjykata.

    DOKUMENTET E NEVOJSHME

    Trashëgimi nga bashkëshorti-ja

    • Letërnjoftim/pasaportë valide e bashkëshortes/it
    • Konfirmimi i llogarisë bankare të bashkëshortes/it

    Vdekja e pjesëmarrësit dhe statusi martesor vërtetohen në mënyrë digjitale nga FKPK, me rastin e aplikimit. Sigurohuni që vdekja e të ndjerit dhe statusi martesor të jenë regjistruar në regjistrin civil, disa ditë para aplikimit për trashëgimi.

    Trashëgimi nga fëmijët

    • Letërnjoftim/pasaportë valide e aplikuesit (fëmiut)
    • Konfirmimi i llogarisë banka së aplikuesit
    • Akti i trashëgimisë, i lëshuar nga noteri ose gjykata, në të cilin akt janë të cekura kursimet pensionale si një nga pasuritë e të ndjerit, proporcioni i trashëgueshëm nga trashëguesi dhe identiteti i trashëguesit.

    Vdekja e pjesëmarrësit vërtetohet në mënyrë digjitale nga FKPK, me rastin e aplikimit.
    Sigurohuni që vdekja e të ndjerit të jetë regjistruar në regjistrin civil, disa ditë para aplikimit për trashëgimi.

    Trashëgimi nga përfituesit e tjerë

    • Letërnjoftim/pasaportë valide e aplikuesit
    • Konfirmimi i llogarisë banka të bashkëshortes/it
    • Akti i trashëgimisë, i lëshuar nga noteri ose gjykata, në të cilin akt janë të cekura kursimet pensionale si një nga pasuritë e të ndjerit, proporcioni i trashëgueshëm nga trashëguesi dhe identiteti i trashëguesit.

    Vdekja e pjesëmarrësit vërtetohet në mënyrë digjitale nga FKPK, me rastin e aplikimit.
    Sigurohuni që vdekja e të ndjerit të jetë regjistruar në regjistrin civil, disa ditë para aplikimit për trashëgimi.

    Shënim: Në rastin e pensionimit (qoftë të moshës, trashëgimisë, invaliditetit ose shtetasve të huaj), tërheqja e kursimeve pensionale nga FKPK i nënshtrohet po ashtu tatimit në të ardhurat personale, sipas legjislacionit në fuqi.

  • PENSION INVALIDOR

    Para moshës së pensionimit, nëse kontribuuesi bëhet përfitues i Pensionit Invalidor, ai/ajo mund të aplikojë për tërheqje të kursimeve.

    Pensioni invalidor nga Administrata Pensionale pranë MPMS, aprovohet për kohëzgjatje një, tri dhe pesëvjeçare. Bazuar në kohëzgjatjen e këtyre pensioneve dhe në lartësinë e bilancit të kursimeve, FKPK aprovon tërheqje të pjesërishme përmes pagesave mujore prej €200 derisa vendimi i pensionit invalidor është valid. Për shembull, nëse personi ka vendim për pension invalidor me kohëzgjatje trivjeçare, FKPK do të aprovojë vetëm atë pjesë kursimi e cila do të mbulojë 36 muaj me pagesë prej €200, që d.m.th €7,200, apo më pak nëse kontribuuesi nuk ka kursime të mjaftueshme për të mbuluar periudhën në fjalë.

    Po ashtu, pensionet invalidore, të tërhequra sipas invaliditetit që rrjedh nga Ligji Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre”, kanë të drejtë të tërheqin kursimet e tyre sipas mënyrës së lartpëmendur. Poashtu, ri-aplikimet lejohen vetëm nëse kanë kaluar 12 muaj nga shpagimi i fundit. Megjithatë, Bordi Drejtues nuk iu rekomandon kontribuuesve që ta bëjnë këtë tërheqje të përsëritur. Meqë, për shkak të kohës së shkurtër akumuluese dhe luhatjes së tregjeve financiare, mund të ndodhë që të tërheqin më pak mjete sesa janë paguar nga kontribuuesi dhe punëdhënësi i tij/saj.

    DOKUMENTET E NEVOJSHME

    1.        Dokumenti valid identifikimi kontribuuesit
    2.        Vendimi për pensionim invalidor, nga Administrata Pensionale
    3.        Deklarim për bankën e preferuar (NLB, BE, BPB, BKT)

    Shënim: Në rastin e pensionimit (qoftë të moshës, trashëgimisë, invaliditetit ose shtetasve të huaj), tërheqja e kursimeve pensionale nga FKPK i nënshtrohet po ashtu tatimit në të ardhurat personale, sipas legjislacionit në fuqi.

    Kontratat me bankat në Kosovë për tërheqjen e pensionit invalidor:

    Kontrata me BKT

    Kontrata me BPB

    Kontrata me Bankën Ekonomike

    Kontrata me NLB

  • TËRHEQJA E KURSIMEVE NGA SHTETASIT E HUAJ

    Shtetasit e huaj me qëndrim të përkohshëm në Kosovë mund të aplikojnë për tërheqje të kursimeve pensionale të cilat i kanë paguar përgjatë kohës sa kanë qenë duke punuar në Kosovë.
    Nëse shtetasit e huaj në momentin kur aplikojnë për një tërheqje të tillë, kanë fituar shtetësinë ose qëndrimin e përhershëm në Kosovë, nuk do të mund t’i tërheqin kursimet e tyre.

    DOKUMENTET E NEVOJSHME

    1. Numri Individual Tatimor, i lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (nëse kontributet pensionale janë paguar përmes këtij numri), ose
    2. Lejeqëndrim i përkohshëm, i lëshuar nga MPB e Kosovës (nëse kontributet pensionale janë paguar përmes këtij numri),
      1. Nëse lejeqëndrimi juaj ka skaduar, FKPK vërteton në MPB statusin tuaj të fundit të qëndrimit në Kosovë.
    3. Vërtetim që jeni shtetas i huaj me qëndrim të përkohshëm në Kosovë, lëshuar nga Agjencioni i Regjistrit Civil.
    4. Llogari aktive bankare në një nga bankat e Kosovës ose banka e vendit të origjinës (vlen vetëm konfirmimi nga banka).

     

    Shënim: Në rastin e pensionimit (qoftë të moshës, trashëgimisë, invaliditetit ose shtetasve të huaj), tërheqja e kursimeve pensionale nga FKPK i nënshtrohet po ashtu tatimit në të ardhurat personale, sipas legjislacionit në fuqi.