Pyetjet më të shpeshta:

  • SI TË LEXOHET PASQYRA?

     

    PËRMBLEDHJA E PASQYRËS

    Pasqyrë_koka
    1. Lëvizjet gjatë periudhës

    Vlera në fillim – paraqet gjendjen e bilancit në fillim të periudhës, pra më 01.01.2021.

    Kontributet – paraqesin kontributet e deklaruara dhe paguara për periudhën 01.01.2021 deri 31.12.2021.

    Transferet – paraqesin lëvizjet eventuale ndërmjet portofoleve investuese (aktualisht nuk ka zbatim).

    Tërheqjet – paraqiten tërheqjet nga llogaria përgjatë kësaj periudhe.

    Kthimi në investim – paraqet rritjen/zvogëlimin e bilancit nga investimi i kontributeve.

    Vlera në fund – paraqet gjendjen e bilancit në datën e fundit të raportuar (pra më 31.12.2021).

    2. Përbërja e mjeteve

    Paraqet gjendjen e bilancit sipas numrit të njësive shumëzuar me çmimin e njësisë për atë datë dhe shumën si rezultat.

    Portofolio Standard – aktualisht FKPK ka vetëm një portofol investues. Nëse do të ketë portofole shtesë në të ardhmen do të paraqiten veçmas.

    Njësitë – paraqesin numrin e njësive të blera përgjatë gjithë periudhës së kontribuimit (prej fillimit).

    Çmimi për njësi – paraqet çmimin e njësisë në datën 31.12.2021. Ky çmim reflekton rezultatin ditor të investimeve. Prandaj ndryshon çdo ditë, sikur investimet.

    Bilanci – paraqet prodhimin (njësitë x çmimi i njësisë) në datën e fundit të raportuar (31.12.2021).

    3. Grafiku

    Paraqet totalin e kursimeve si raport i kontributeve të paguara dhe kthimit në investim. Ky raport ndryshon po ashtu në baza ditore.


    4. TABELA Kontributet

    Tabela_kontributet
    Data – paraqet ditën e barazimit të pagesës me deklarimin nga punëdhënësi ose i vetëpunësuari.

    Periudha – paraqet periudhën siç është raportuar nga punëdhënësi.

    Përshkrimi – paraqet e punëdhënësit ose të vetëpunësuarit si dhe përshkrimin për atë transaksion.

    I punësuari – paraqet kontributin e ndarë nga paga bruto e të punësuarit, që është paguar nga punëdhënësi.

    Punëdhënësi – paraqet kontributin e shtuar nga punëdhënësi për të punësuarin.

    Gjithsej – paraqet totalin e kontributeve nga punëdhënësi dhe i punësuari.


    5. TABELA Tërheqjet

    Tabela_tërheqjet

    Data – paraqet ditën kur është realizuar tërheqja (nga FKPK në bankë).

    Përshkrimi – paraqet arsyen e tërheqjes.

    Kontributet – paraqet vlerën e kontributeve si pjesë e totalit të tërhequr.

    Kthimi – paraqet vlerën e investimeve të tërhequra me këtë transaksion.

    Gjithsej – paraqet shumën e kontributeve të paguara dhe kthimit nga investimet.


    6. TABELA Portofolio

    Tabela_portofolio

    Data dhe përshkrimi në këtë tabelë janë identike me tabelën Kontributet.

    Njësitë – paraqesin numrin e njësive të blera me kontributet e barazuara në datën e transaksionit.

    Çmimi – paraqet çmimin njësisë të datës kur ka ndodhur blerja e njësive.

    Shuma – paraqet prodhimin (njësitë x çmimi i njësisë) në atë transaksion.

  • ÇFARË ËSHTË PLANI KONSERVATIV PËR 63 VJEÇARËT?

    Sipas vendimit të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), i marrë në pajtim me paragrafin 9.4 të Ligjit Nr. 04/L-101 mbi Fondet Pensionale të Kosovës, bilanci i kursimeve pensionale të kontribuuesve që arrijnë moshën 63 vjeçare bartet nga Plani Standard në Planin Konservativ të investimeve.

    Bartja në këtë Plan bëhet me qëllim të mbrojtjes së kontribuuesve që janë afër pensionimit. Plani Konservativ do t’i ketë së paku 90% të mjeteve të investuara në obligacionet e Thesarit të Republikës së Kosovës, instrumente këto me rrezik të ulët dhe që ofrojnë kthim solid në investime pa luhatje të theksuara dhe me kthim pozitiv. Kuptohet që për shkak se investimet janë vetëm në Kosovë për grupmoshë, ata janë të mbrojtur nga lëvizjet në tregjet financiare ndërkombëtare.

    Nga aspekti teknik, çmimi në Planin Standard më 16.02.2022 (ditën e bartjes) ishte €1.674594 për njësi. Çmimi fillestar i Planit Konservativ është vendosur në €2.00 për njësi, dhe është vendosur i tillë me qëllim që të dallohet lehtë prej çmimit të Planit Standard. Vlera e kursimeve në Planin Standard në 16.02.2022 është përdorur për të blerë njësi në Planin Konservativ.

    Duhet theksuar se si pasojë e kësaj bartje vlera e kursimeve të kontribuuesve nuk ka ndryshuar. Gjithsesi, performanca pasuese e Planit Konservativ mund të përcillet përmes portalit eTrusti apo ueb faqes së FKPK-së.

  • KUR MUND T’I TËRHEQ KURSIMET?

    Sipas ligjit Nr. 04/L-101 (i plotësuar dhe ndryshuar me ligjin Nr. 05/L-116), tërheqja e kursimeve pensionale mund të bëhet në rastet në vijim:

    1. Kur arrini moshën e pensionimit, momentalisht të vendosur në 65 vjet,
    2. Nëse jeni përfitues i pensionit invalidor në Kosovë,
    3. Nëse jeni trashëgues i kursimeve pensionale të kontribuuesit të ndjerë, sipas ligjit të trashëgimisë dhe rregullave të BQK-së,
    4. Nëse jeni shtetas i huaj me qëndrim të përkohshëm në Kosovë që nga momenti kur keni paguar kontribute pensionale.
  • PSE NUK I KAM TË GJITHA KONTRIBUTET?

    Në mënyrë që kontributet pensionale të shfaqen në pasqyrë, duhet të jenë plotësuar këta hapa:

    1. Punëdhënësi duhet të deklarojë listën e pagave në EDI/ATK,
    2. Në atë listë ju duhet të jeni i pranishëm dhe i identifikuar saktë,
    3. Pagesa sipas deklarimit të listës të jetë bërë nga punëdhënësi.

    Nëse këta hapa janë plotësuar sipas rregullave, atëherë procesimi i informacionit zgjat 3 deri në 5 ditë pune. Kjo sepse zinxhiri i informacionit përfshin disa institucione (banka, BQK, ATK dhe Trusti).

    Zakonisht ndodh që punëdhënësi të mos ketë bërë deklarimin apo pagesën, të ketë gabuar në pagesë, të jetë vonuar me pagesën apo banka të mos ketë përcjellur mjetet siç kërkohet. Poashtu, mund të ndodhë që punëdhënësi të jetë në marrëveshje për pagesat e vonuara; në këtë rast punëdhënësi duhet të bëjë një kërkesë të veçantë për transfer të kontributeve pensionale nga ATK në Trust. Andaj, kërkoni qartësim të detajuar nga punëdhënësi/kontabilisti juaj për kontributet në fjalë.

    Nëse punëdhënësi është vonuar shumë me pagesën, atëherë mund të thërrisni ATK-në (numri pa pagesë: 0800-80-800) për të raportuar për mospërmbushje të obligimeve nga punëdhënësi juaj. ATK ka përgjegjësinë ligjore për mbledhjen e detyrueshme të kontributeve pensionale.

  • JAM PENSIONUAR, SI MUND T’I TËRHEQ KURSIMET?

    Nëse jeni 65 vjeç dhe keni në bilanc deri në €3,000, kursimet do t’i tërhiqni përnjëherë!

    Nëse jeni 65 vjeç dhe keni në bilanc më shumë se €3,000, kursimet do t’i tërhiqni me faza!

  • KAM ARRITUR MOSHËN E PENSIONIMIT, NË BILANC KAM MBI €3,000, SI DO T’I TËRHEQ KURSIMET NË FAZA?

    Tek tërheqja në faza, aranzhimi i pagesës bëhet sipas dy proporcioneve:

    20%/80% – ku 20% është pagesë e përnjëhershme dhe 80% është pagesë në faza mujore, ose

    0%/100% ku i gjithë bilanci tërhiqet në faza.

    Tek tërheqja në faza, pagesa është mujore, me minimum €200 dhe maksimumi 1% e bilancit të kursimeve në ditën e aprovimit të aplikacionit. Lartësia e pagesave mujore rishikohet në baza të rregullta, propozohet nga Bordi Drejtues dhe miratohet nga Banka Qendrore e Kosovës.

  • PSE NDRYSHON BILANCI NË LLOGARINË TIME ÇDO DITË?

    Bilanci ndryshon çdo ditë për dy arsye: (i) në llogarinë tuaj janë pranuar kontribute të reja dhe/ose çmimi i njësisë ka ndryshuar për datën e dhënë. Çmimi i njësisë është pasqyrim i rezultatit ditor të investimeve. Natyrisht, investimet do të kenë kthim pozitiv ose negativ çdo ditë. Nuk duhet të brengoseni për ndryshimet ditore. Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka për obligim ligjor që investimet t’i bëjë në mënyrë të kujdesshme dhe të diversifikuar. Në afat të gjatë dhe me këto parime, kthimi në investime, siç është dëshmuar historikisht, do të jetë pozitiv.

  • ÇFARË ËSHTË NJËSIA?

    Njësia është koncept i kontabilitetit, është i ngjashëm me ‘aksionin’ i cili përdoret për të llogaritur pronësinë e individëve, vlerësimin e kompanisë në treg dhe shpërndarjen e fitimit të korporatave tek individët. Ajo që e dallon njësinë nga aksioni është pronësia. Në rastin e aksionit, pronësia është e aksionarit dhe aksioni ka të drejtë ta shesë apo tregtojë atë. Njësia, ruan të gjitha karakteristikat e aksionit, përveç pronësisë. Ndonëse edhe njësitë janë pronë e kontribuuesve, ato kanë destinim të kufizuar. Pra, njësitë nuk mund të shiten në çdo kohë sikurse aksionet, por vetëm në rastet kur përmbushen kriteret ligjore (mosha, invaliditeti, apo vdekja e kontribuuesit).

  • SI MUND T’I SHOH KURSIMET E MIA?

    Llogarinë mund ta shihni përmes internetit, duke kërkuar qasje online këtu.

    Llogarinë mund ta shihni nga pasqyra fizike e cila:

    • një herë në vit shpërndahet tek kontribuesit, ose
    • në çdo kohë në zyren e FKPK-së në Prishtinë apo në zyret regjionale tatimore.
  • JAM PËRFITUES I PENSIONIT INVALIDOR, SI MUND T’I TËRHEQ KURSIMET?

    Kursimet mund t’i tërhiqni vetëm për kohën sa keni vendimin e pensionit invalidor, kuptohet nëse brenda asaj kohe nuk ju shterohet bilanci.

  • NË RAST TË VDEKJES, A MUND TË TRASHËGOHEN KËTO KURSIME?

    Po, i gjithë bilanci do të trashëgohet nga bashkëshorti/ja, sipas ligjit të pensioneve.

    Në mungesë të bashkëshortit/es, aplikohet ligji për trashëgimi.

  • KAM PROBLEME SHËNDETËSORE, A MUND T’I TËRHEQ KURSIMET PARA SE TË ARRIJ KUSHTET LIGJORE?

    Me keqardhje por kursimet nuk mund të përdoren për asnjë qëllim tjetër sado urgjent që është. Shëndeti i qytetarëve të Kosovës është përgjegjësi e autoriteteve përkatëse të Kosovës. Trusti nuk është fond i sigurimeve shëndetësore; mandatin e ka të kufizuar vetëm në ofrim të pensionit.

  • KAM PROBLEME SOCIALE, A MUND T’I TËRHEQ KURSIMET PARA SE TË ARRIJ KUSHTET LIGJORE?

    Me keqardhje por kursimet nuk mund të përdoren për asnjë qëllim tjetër sado urgjent që është. Mirëqenia sociale e qytetarëve të Kosovës është përgjegjësi e autoriteteve përkatëse të Kosovës. Kursimi pensional, sado që është pjesë e mirëqenies sociale, është i pamjaftueshëm për të zgjidhur problemet e rënda sociale dhe duhet të ofrohet atëherë kur e ka kohën, në moshën e vjetër, kur nevojitet edhe më shumë sesa kur jeni më i ri.

  • KUSH DUHET TË PAGUAJË KONTRIBUT PENSIONAL?

    Kontribut pensional duhet të paguajë, punëdhënësi për të punësuarit që janë shtetas ose banorë me qëndrim të përhershëm në Kosovë, siç është definuar në Ligjin për të Huajt. Banorët e huaj apo me qëndrim të përkohshëm e kanë të ndaluar kontributin pensional.

  • SI TË PAGUAJ KONTRIBUT PENSIONAL NËSE NUK PUNOJ?

    Kontribut pensional mund të paguani vetëm nëse keni aktivitet ekonomik. Nëse keni aktivitet ekonomik në cilësinë e personit fizik me çfarëdo lloj kontrate (të përkohshme, përhershme, specifike, të përgjithshme) punëdhënësit përkatës duhet të ndalin dhe paguajnë kontribut pensional për ju.

    Nëse keni aktivitet ekonomik si i vetëpunësuar (pronar biznesi) duhet të paguani kontribut pensional çdo tremujor krahas tatimit në të ardhura personale.

  • NËSE KËTO JANË KURSIME TË MIA, A MUND T’I SHFRYTËZOJ KUR TË DUA UNË?

    Jo. Sikurse që këto kursime mblidhen përmes skemës së obliguar me ligj, ato edhe tërhiqen sipas ligjit. Edhe pse janë kursime individuale, destinimi i tyre është i kufizuar, sipas Ligjit, vetëm për financim të pensionit tuaj.

  • KU I MBANI KONTRIBUTET E GRUMBULLUARA?

    Kontributet posa të pranohen, investohen në tregje financiare përmes kompanive që menaxhojnë kursime nga fonde të tjera të ngjashme.

  • A INVESTOHEN KURSIMET PENSIONALE NË KOSOVË?

    Po, një pjesë e konsiderueshme e kursimeve pensionale tanimë investohen në Kosovë, shumica e tyre si hua për Qeverinë e Kosovës, ndërsa një pjesë edhe si depozita në Bankat Komerciale të Kosovës.

    Sidoqoftë, FKPK duhet gjithnjë të përkujdeset për shpërndarje sa më të madhe, në mënyrë që risku nga investimet të minimizohet.

  • A MUND T’I NDIHMONI BIZNESET NË KOSOVË ME KËTO MJETE?

    Bizneset do të mund të ndihmoheshin nëse në Kosovë do të kishte një treg financiar ku do të mund të merrnin pjesë bizneset e Kosovës. Pjesëmarrja në treg financiar për biznesin është mundësi por edhe obligim sepse duhet të raportojë drejt për aktivitetet e veta në mënyrë që investuesit të kenë sa më shumë informacion para se të vendosin të ndihmojnë një biznes. Mos harroni, mjetet e Trusti kanë pronar të definuar saktë, deri në centin e fundit. Biznesi duhet të ndihmohet por edhe paratë e kontribuuesve duhet të ruhen.

  • A JANË TË SIGURTA KËTO INVESTIME?

    Siç dihet, të gjithë ne kur investojmë në diçka, nuk e dimë saktë se do të kemi kthim të mirë nga investimi. Mirëpo, investimet bëhen duke siguruar paraprakisht sa më shumë informata për të minimizuar riskun. Informatat na ndihmojnë jo vetëm në përcaktimin e shumës së investimit, por edhe ku dhe kur duhet të investojmë. Me këtë logjikë, veprojnë edhe fondet pensionale. Përmes tregut financiar, si vend ku ka informacion, fondet pensionale marrin vendime të shpeshta për atë se sa, ku dhe kur duhet të investohet.

  • ATËHERË, SI E MINIMIZONI RISKUN E INVESTIMEVE?

    Investimet nuk bëhen në një kategori, në një moment kohor dhe në një vend të vetëm. Tregjet financiare ofrojnë pikërisht mundësinë e shpërndarjes së investimeve në kategori, kohë dhe vende të ndryshme. Investimet duhet të kuptohen jo si një transaksion i vetëm por si shumë e transaksioneve që ndodhin vazhdimisht në një interval më të gjatë kohor. Objektivi i Trustit, dhe në fakt i të gjitha fondeve pensionale, është gjetja e një ‘bilanci’ ndërmjet kategorive të investimit me risk të ultë dhe me risk të lartë për të arritur kështu një kombinim i cili ofron edhe siguri por edhe kthim të mirë nga investimet.

  • ÇFARË PENSIONE KA NË KOSOVË?

    Në Kosovë ka pensione që i shpërndan shteti dhe pensione që kurseni obligativisht derisa jeni duke punuar.

    1. Pensionet që i shpërndan shteti administrohen nga Administrata Pensionale e Kosovës, në kuadër të Ministrisë përkatëse.
      Financimi i këtyre pensioneve bëhet nga buxheti i shtetit (tatimet, doganat, etj).
      Pagesa e këtyre pensioneve bëhet sipas kritereve përkatëse ligjore.
    2. Pensionet e kursyera administrohen nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
      Kursimi i pensioneve ka filluar që nga gushti i 2002 për të punësuarit e sektorit publik dhe një vit më pas për të gjithë të punësuarit dhe vetëpunësuarit e Kosovës.
      Tërheqja e këtyre pensioneve bëhet sipas kritereve ligjore dhe mënyrës së përcaktuar nga rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës.

    Në vijim mund të shihni vetëm pyetje/përgjigje për pensionet e kursyera në FKPK.