Sipas Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale në Kosovë, Bordi Drejtues i FKPK-së përbëhet nga:

  • Së paku pesë anëtarë profesionistë;
  • Dy anëtarë përfaqësues: njëri përfaqësues i organizatave të punëdhënësve dhe tjetri përfaqësues i organizatave të punëmarrësve;
  • Një përfaqësues i Qeverisë së Kosovës (pa të drejtë vote).

Struktura e Bordit Drejtues dhe aftësitë që kërkohen prej tyre, janë përcaktuar me qëllim të sigurimit të një gërshetimi të përshtatshëm të përvojës dhe aftësive. Pritet nga anëtarët e Bordit të mbikëqyrin funksionet e administrimit të FKPK-së dhe të japin udhërrëfime në aspekte të posaçme të ekspertizës. Bordi ka përgjegjësi ekskluzive për investimet e FKPK-së, si dhe është përgjegjës për vendimmarrjen mbi politikën e FKPK-së, pas këshillimeve paraprake me Drejtorin Menaxhues dhe stafin e FKPK-së.

Anëtarët profesionistë
Nga anëtarët profesionistë pritet që ta udhëzojnë FKPK-në në çështjet që kanë të bëjnë me investimet e mjeteve për pensione dhe çështjet administrative të grumbullimit të kontributeve pensionale. Ata duhet të kenë së paku 10 vjet përvojë në ekspertizën e investimeve pensionale.

Anëtarët përfaqësues
Nga anëtarët përfaqësues pritet të kenë përvojë të konsiderueshme të punës në përfaqësimin e interesave të punëdhënësve dhe punëmarrësve kosovarë. Përgjegjësia e tyre primare është të përfaqësojnë interesat e bazës së tyre. Komunikimi aktiv me publikun dhe ngritja e vetëdijes mbi politikat dhe procedurat e FKPK-së, është po ashtu funksion i këtyre anëtarëve.

Përfaqësuesi i Qeverisë
Funksioni kryesor i përfaqësuesit të Qeverisë është që të siguroj mbikëqyrje adekuate dhe ta përfaqësoj Qeverinë e Kosovës në Bordin e FKPK-së. Ky anëtar emërohet nga Kryeministri.