Kontributet pensionale janë të obligueshme të paguhen në rast se jeni shtetas i Kosovës, rezident permanent në Kosovë, si i punësuar ose i vetëpunësuar.

Nëse jeni i punësuar, punëdhënësi juaj duhet të ndalë dhe paguajë kontribute pensionale nga paga juaj dhe buxheti i vet.

Në fund të secilit muaj, punëdhënësi juaj duhet:

  1. Nga paga juaj të ndalë së paku 5% për kontribute pensionale
  2. Të aplikojë tatimin në paga pas zbritjes së kontributeve pensionale
  3. Nga buxheti i vet duhet të kontribuojë me së paku 5% të tjera për kontributin tuaj pensional
  4. Të dorëzojë listën e punëtorëve dhe të paguajë kontributet pensionale me minimum 10% të pagave mujore (të përbërë nga të dy pjesët prej së paku 5%), sipas rregullave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Nëse jeni i vetëpunësuar, pas çdo tremujori kalendarik, ju apo kontabilisti juaj duhet të kalkulojë të hyrat tuaja, të aplikojë tatimin në të ardhura personale dhe kontributin pensional, sipas rregullave të ATK-së.

Nëse kontributet paguhen dhe raportohen pa gabime, do të alokohen në llogarinë tuaj të kursimeve pensionale. Për të ditur nëse kontributet tuaja janë duke u paguar, duhet të shikoni pasqyrën tuaj online, duke kërkuar gjendjen e llogarisë në zyret tona, personalisht apo përmes palës së tretë të autorizuar, apo të prisni për pasqyrën vjetore e cila ju vie në adresën tuaj (nëse FKPK ka adresën tuaj).