07.04.2020

Njoftim për masat e FKPK-së dhe gjendjen e investimeve

Prishtinë, 7 prill 2020 – Me qëllim të informimit të drejtë dhe mos krijimit të panikut të paarsyeshëm nga raportime dhe deklarime të pabalancuara, Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës njofton kontribuuesit, mediat dhe publikun e gjerë për situatën aktuale të fondeve nën menaxhim të institucionit.

Fillimisht duhet theksuar faktin së bazuar në legjislacionin aktual FKPK-ja operon, pra në pikëpamje afatgjatë,  luhatjet në tregjet financiare nuk duhet të përcillen me panik për shkak të rënieve afatshkurta. Në kontekstin afatshkurtër FKPK-ja ka arritur të krijojë masë mbrojtëse për të gjithë kontribuuesit  që pensionohen gjatë vitit 2020. Asnjë kontribuues moshe nuk do të ndikohet nga rënia e investimeve gjatë këtij viti. Kjo masë, përmes mbajtjes së mjeteve të kësaj grupmoshe në portofol investues të veçantë, i bën ata imun nga rëniet e tregjeve financiare.

Ndërsa fondet e kontribuuesve të tjerë që janë prekur (ose do të preken) nga kjo situatë pandemie do të kenë kohë të rikuperohen gjatë periudhës së ngelur të vitit 2020 dhe vitin 2021. Ne presim që me përfundimin e krizës shëndetësore, bashkë me efektin pozitiv që masat stimuluese dhe mbrojtëse që qeveritë ka ndërmarrë, tregjet financiare do të rikuperohen – e bashkë me to do të ngritën edhe investimet e FKPK-së.

Duam t’jua kujtojmë kontribuuesve se përkundër gjendjes së momentit, bilanci i tyre vazhdon të ketë kthim pozitiv nga investimet (me ndonjë përjashtim eventual). Aktualisht çmimi i njësisë së FKPK-së ka një kthim prej 43.5% prej themelimit dhe një kthim pozitiv prej rreth 6% për 5 vjetët e fundit. Pra rënia aktuale, prej rreth -4.5% për vitin 2020, ka zvogëluar kthimin e akumuluar por nuk është në nivel shqetësues dhe besojmë që është e përkohshme.

Po ashtu, në këtë moment, FKPK-ja i ka investimet më të mbrojtura se kurrë ndonjëherë, me ekspozimin më të ulët në instrumente financiare me risk më të lartë. Rreth ¼ e të gjitha mjeteve ndodhën të investuara në Kosovë, me mundësi të shtimit të kësaj prezence ditëve në vijim. Njëkohësisht vetëm rreth 13% e mjeteve janë të investuara në tregun e aksioneve (ku risku është më i larti), që po ashtu është niveli më i ulët historik në këtë instrument.

Përkundër situatës së emergjencës shëndetësore në nivel global por edhe në Kosovë, i gjithë informacioni i FKPK-së për kthimin nga investimet, fondet nën menaxhim, aset-menaxherët, çmimin e njësisë, kontribuuesit, e të gjitha informacionet për investimet gjendet çdo ditë i publikuar në uebfaqe, por edhe qasja e mbi 142 mijë kontribuuesve në llogaritë e tyre në eTrusti është në dispozicion çdo ditë pune. Nuk ka asnjë arsye për frikë, e aq më pak panik, dhe nuk ka asnjë fakt se FKPK-ja ka mungesë të transparencës. Përkundrazi.

Njëkohësisht njoftojmë kontribuuesit se vazhdojmë të ofrojmë shërbime direkte, me kufizimet e rekomanduara nga institucionet shëndetësore, si dhe të ofrojmë shërbime përmes internetit (edhe përmes rrjetit social Facebook) për të gjithë kontribuuesit.

E përsërisim: FKPK-ja beson se kjo situatë do të tejkalohet dhe se bota do të arrijë të gjejë energji dhe ide për t’u kthyer në normalitet dhe prosperitet. FKPK-ja është duke bërë me të mirën e mundshme dhe është në koordinim të vazhdueshëm edhe me institucionet e tjera në vend.

Lusim mediat që me rastin e raportimit lidhur me FKPK-në të kontaktojnë zyrtarët e FKPK-së me qëllim të informimit të drejtë e të saktë të publikut.