14.01.2025

+247.2 mln euro kthimi bruto për 2024

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e përmbylli vitin 2024 me +243.7 milionë euro kthim bruto nga investimet. Duke ia shtuar edhe suficitin e kthyer dhe të ardhurat e tjera (prej 3.5 milionë euro), kthimi bruto për 2024-n shkon në 247.2 milionë euro. Në vlerë nominale, kjo është shifër rekord e kthimit nga investimet, porse erdhi edhe për shkak të mjeteve më të larta nën menaxhim. Ky ishte viti i 20-të, nga gjithsej 23 vjet të operimit, që institucioni arrin kthim vjetor pozitiv nga investimet. Llogaritur në tërësi, kthimi i akumuluar bruto, prej themelimit e deri në fund të vitit 2024, arriti në 997.2 milionë euro – shumë afër shifrës simbolike prej 1 miliard euro.

Arkëtimi i kontributeve të reja në 2024-shin, në vlerë 315.8 milionë euro, pasqyron një ngritje solide, si në vlerë nominale (prej +29.6 milionë euro) ashtu edhe në përqindje, prej 10.3%, nga viti paraprak.

Kontributet e reja, bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat menaxhuese, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të ngritën sivjet me shifrën rekorde prej +480.0 milionë euro e të arrijnë kështu afër 3.2 miliardë eurove.

Tabela 1: Ndryshimi i mjeteve neto nën menaxhim

Portofoli 2024 2023 Ndryshimi
Standard €2,652,013,991 €2,570,540,691 €81,473,300
Ndërmjetëm €376,412,633 €376,412,633
Konservativ €153,414,694 €131,267,932 €22,146,762
Gjithsej €3,181,841,318 €2,701,808,623 €480,032,695

Për rikujtim, prej 31 marsit 2024, FKPK-ja  ka tre portofola investues:

(1) Portofolin Standard – për kontribuuesit  deri në moshën 57 vjeçare; (2) Portofolin e Ndërmjetëm – për kontribuuesit e moshës 58 deri 62 vjeçare dhe (3) Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e sipër. Këta portofola kanë në përbërje instrumente të ndryshme financiare, varësisht synimit të kthimit nga investimet, riskut dhe luhatshmërisë investuese dhe gjithnjë kundrejt distancës së kontribuuesve nga mosha e pensionimit.

 Tabela 2: Kthimet bruto nga investimet për 2023 dhe 2024

Portofoli 2024 2023
Standard €224,022,743 €83,010,837
Ndërmjetëm €14,384,338
Konservativ €5,283,189.91 €4,652,708
Gjithsej €243,690,271 €87,663,545


PORTOFOLI STANDARD
Performanca e investimeve për Portofolin Standard për vitin 2024 ishte +8.77% (2023: +3.05%). Synimi i këtij portofoli është që në afatgjatë (10 vjeçar) ta tejkalojë indeksin e çmimeve të konsumit (ndryshe inflacionin) në Kosovë. Aktualisht çmimi i njësisë së këtij portofoli është ngritur rreth 82% prej themelimit, ndërsa inflacioni në Kosovë për rreth 71%. Kështu edhe e ka tejkaluar dukshëm inflacionin në vend.

Bordi Drejtues e ka harmonizuar qëllimin dhe strategjinë investuese të këtij Portofoli gjatë vitit 2024, duke e rishikuar edhe Deklaratën e Parimeve Investuese të FKPK-së. Investimet e këtij portofoli tani do të përbëhen nga instrumente që kanë risk deri mbi mesatar, por që iu jep pjesëmarrësve të kësaj grupmoshe mundësinë të vjelin edhe më shumë rritje përgjatë kësaj moshe të kontribuimit.


PORTOFOLI NDËRMJETËM
Për vitin 2024 ky Portofol ka arritur që brenda 9 muajve të parë të aktivitetit të kapte një ngritje prej 4.05% të çmimit të njësisë. Ky Portofol filloi se zbatuari nga 1 prilli 2024 dhe i dedikohet pjesëmarrësve të moshës 58 deri 62 vjeçare.

Synimi i Portofolit të Ndërmjetëm është të shërbejë si një portofol tranzitor nga Portofoli Standard drejt atij Konservativ; duke pasur në fokus stabilitetin e kursimeve, ashtu që luhatshmëria dhe kthimi të jenë më të moderuara. Megjithatë, Portofoli i Ndërmjetëm do të vazhdojë të njoh progres afatgjatë mbi nivelin e investimeve në depozita bankare ose tregun e parasë së gatshme.


PORTOFOLI KONSERVATIV
Pjesëmarrësit e Portofolit Konservativ kishin sivjet ngritje prej +3.60% (2023: +3.47%). Për shkak se investimet e këtij portofoli janë në fletobligacionet e Qeverisë së Kosovës, tregun e parasë së gatshme dhe depozitat bankare ato nuk u ndikuan nga luhatjet në tregjet financiare, rrjedhimisht kishin ngritje pozitive përgjatë gjithë vitit.

Meqë pjesëmarrësit e këtij Portofoli janë të moshës 63 vjeçare e sipër, qëllimi kryesor i tij është që t’i mbrojë ata nga luhatjet në tregjet financiare, meqë nuk kanë më kohë të mjaftueshme për rikuperim në rast të rënieve eventuale të tregjeve. Përkundër kësaj, Portofoli arrin të sigurojë edhe një ngritje të qëndrueshme pozitive përgjatë tri vjetëve të fundit para pensionimit.

Tabela 3: Përmbledhje e treguesve kryesorë për 2023 dhe 2024

TREGUESI 2024 2023
Kthimi bruto për vitin (përfshirë suficitin) +€247 milionë +€88 milionë
Kthimi bruto prej themelimit +€997 milionë +€750 milionë
Mjetet neto nën menaxhim €3,182 milionë €2,702 milionë
Çmimi i njësisë – Portofoli Standard* €1.8233 €1.6764
Çmimi i njësisë – Portofoli Ndërmjetëm* €1.0405
Çmimi i njësisë – Portofoli Konservativ* €2.2065 €2.1302
Kontribute të arkëtuara për vitin €316 milionë €286 milionë
Pagesa të pensioneve për vitin ** €68 milionë €66 milionë
Të pensionuar gjatë vitit ** 7,905 7,703
Llogari të pjesëmarrësve në fundviti 874,194 834,251
Llogari aktive për vitin 452,366 442,383
Mjete në tregjet globale €2,581,686,781 €2,163,419,668
Mjete në fletobligacionet e Kosovës €437,123,045 €447,135,504
Afatizime bankare në Kosovë €164,228,724 €92,533,913
Tarifa për investime 0.310% 0.32%
Tarifa për operacione 0.048% 0.05%

*
– Portofoli Standard ka filluar më 1 gusht 2002 me çmimin fillestar €1.00 për njësi.

– Portofoli Konservativ ka filluar më 16 shkurt 2022 me çmimin fillestar €2.00 për njësi.
– Portofoli i Ndërmjetëm ka filluar më 1 prill 2024 me çmimin e njësisë €1.00 për njësi.

** Janë vetëm pagesat e pensionimeve të vitit (si në numër ashtu edhe në vlerë), jo edhe pagesat e prapambetura.