+300 milionë euro nga investimet për vitin 2025
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës deri më 24 dhjetor 2025 e ka akumuluar një kthim bruto nga investimet prej 312 milionë euro për këtë vit. Meqë për vitin 2024 kthimi bruto nga investimet ishte rreth 244 milionë euro, rezulton se vetëm në dy vjetët e fundit FKPK-ja ka akumuluar kthim bruto nga investimet prej rreth 556 milionë euro.
Ky njëkohësisht ishte viti i 21-të, nga gjithsej 24 vjet të operimit të FKPK-së, që institucioni arrin kthim vjetor pozitiv nga investimet. Llogaritur në tërësi, kthimi i akumuluar bruto, prej themelimit e deri në këtë datë të raportimit ka arritur në rreth 1.3 miliardë euro.
Arkëtimi i kontributeve të reja në 2025-shin, aktualisht në vlerë prej 354 milionë euro, pasqyron një ngritje solide, si në vlerë nominale (prej +36 milionë euro) ashtu edhe në përqindje, prej 12%, nga viti paraprak.
Foto nga konferenca: z. Emanuel Bajra, Kryesues i Bordit Drejtues (majtas) dhe z. Adrian Zalli, Drejtor Menaxhues.

Tabela 1: Kthimet bruto nga investimet për vitin 2024 dhe deri më 24 dhjetor 2025
| Portofoli | 2025 | 2024 |
| Standard | €269,647,506 | €224,022,743 |
| Balancuar | 36,525,971 | €14,384,338 |
| Konservativ | 6,049,547 | €5,283,189.91 |
| Gjithsej | €312,223,024 | €243,690,271 |
| Për rikujtim, prej 31 marsit 2024, FKPK-ja i ka tre portofola investues:
(1) Portofolin Standard – për kontribuuesit deri në moshën 57 vjeçare; |
Duke shtuar në vlerën e mjeteve nën menaxhim të këtij kontributet e reja dhe kthimin bruto nga investimet, dhe zbritur pagesat për pensione dhe shpenzime për investime dhe operacione, rezulton se vlera neto e mjeteve nën menaxhim për këtë vit aktualisht është ngritur për rreth 569 milionë euro, duke qenë larg ngritja më e shpejtë ndonjëherë e mjeteve nën menaxhim të FKPK-së.
PORTOFOLI STANDARD (prej 16 shkurtit 2022 është i dedikuar për moshën 15-57 vjeç)
Performanca e investimeve për Portofolin Standard për vitin 2025 (deri në këtë datë) është +9.14% (2024: +8.77%). Synimi i këtij portofoli është që në afatgjatë (10 vjeçar) ta tejkalojë indeksin e çmimeve të konsumit (ndryshe inflacionin) në Kosovë. Aktualisht çmimi i njësisë së këtij portofoli është ngritur rreth 99% prej themelimit, ndërsa inflacioni në Kosovë për rreth 80%. Kështu edhe e ka tejkaluar dukshëm inflacionin në vend.
Performanca mjaft e kënaqshme e Portofolit Standard i atribuohet si vlerësimit pozitiv të indekseve kryesore të tregjeve financiare (për shkak të lehtësimit të politikave monetare dhe rritjes së të ardhurave të korporatave) por po ashtu edhe alokimeve taktike të FKPK-së; sidomos nga përqendrimi i investimeve në sektor që kishin ngritje më të fortë gjatë këtij viti, veçanërisht teknologjisë së informacionit (sektorit të inteligjencës artificiale).
Megjithatë, FKPK-ja e ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm kah fundi i vitit, duke e moderuar plasimin e kapitalit në tregun e aksioneve. Në vitin 2026 FKPK-ja do të mirëmbajë vigjilencën ngase trajektorja rritëse e vitit 2025 mund të ballafaqohet me pengesa nga vlerësimet e larta dhe normat e vazhdueshme (të larta) të inflacionit mbi objektivat e bankave qendrore. FKPK-ja parasheh që viti 2026 të karakterizohet me luhatshmëri të tregut, derisa struktura e investimeve të FKPK-së do të mbetët e fuqishme, kthimi nga investimet pritet të normalizohet në krahasim me performancen e mirë të dy vjetëve të fundit.
PORTOFOLI I BALANCUAR (ka filluar prej 1 prill 2024 për moshën 58 deri 62 vjeç)
Për vitin 2025 ky Portofol ka arritur të ketë një ngritje të çmimit të njësisë prej +8.97%, krahasuar me 9 muajt e fundit 2024 (kur ishte ngritur me 4.05% të çmimit të njësisë).
Synimi i Portofolit të Balancuar është të shërbejë si një portofol tranzitor nga Portofoli Standard drejt atij Konservativ; duke pasur në fokus stabilitetin e kursimeve, ashtu që luhatshmëria dhe kthimi të jenë më të moderuara. Megjithatë, Portofoli i Ndërmjetëm po dëshmon progres tejet të kënaqshëm përgjatë këtyre dy vjetëve prej inicimit të tij.
PORTOFOLI KONSERVATIV (ka filluar prej 16 shkurt 2022 për moshën 63 vjeçare e sipër)
Pjesëmarrësit e Portofolit Konservativ kishin sivjet ngritje prej +3.43% (2024: +3.60%).
Për shkak se pjesëmarrësit e këtij Portofoli janë të moshës 63 vjeçare e sipër, qëllimi kryesor i këtij portofoli është që t’i mbrojë pjesëmarrësit nga luhatjet në tregjet financiare, meqë koha e rikuperimit për këtë grupmoshë është tejet e limituar në rast të rënieve eventuale të tregjeve. Si rrjedhojë, investimet e këtij portofoli janë në fletobligacionet e Qeverisë së Kosovës, tregun e parasë.
| Vlerësuar në tërësi, të tre portofolat investues të FKPK-së, përgjatë këtyre dy vjetëve të funksionimit, kanë dhënë shenja tejet inkurajuese, si përgjatë periudhave të rënies së tregjeve financiare ashtu edhe në fazat e rikuperimit të tyre. Kjo më së miri u dëshmua edhe gjatë luhatjeve të forta që i kishim në tremujorin e parë të vitit 2025.
Andaj, FKPK-ja do të vazhdojë t’i qëndrojë strategjisë së saj të investimeve, me synim afatgjatë (sikurse është përcaktuar në Deklaratën e Parimeve Investuese), por edhe të ndërmarrë veprime taktike, për t’iu përshtatur më së miri ambientit investues global, ku FKPK-ja është e ekspozuar aktualisht me rreth 83% të mjeteve nën menaxhim. |
Tabela 2: Përmbledhje e treguesve kryesorë për fundvitin 2024 dhe deri më 24 dhjetor 2025*
| TREGUESI | 2025 | 2024 |
| Kthimi bruto për vitin | +€312 milionë | +€247 milionë |
| Kthimi bruto prej themelimit | +€1.3 miliardë | +€997 milionë |
| Mjetet neto nën menaxhim | €3,751 milionë | €3,182 milionë |
| Çmimi i njësisë – Portofoli Standard | €1.9899 | €1.8233 |
| Çmimi i njësisë – Portofoli i Balancuar | €1.1338 | €1.0405 |
| Çmimi i njësisë – Portofoli Konservativ | €2.2823 | €2.2065 |
| Kontribute të arkëtuara për vitin | €354 milionë | €316 milionë |
| Pagesa të pensioneve për vitin ** | €80 milionë | €68 milionë |
| Të pensionuar gjatë vitit ** | 8,529 | 7,905 |
| Llogari të pjesëmarrësve në fundviti | 983,072 | 874,194 |
| Llogari aktive për vitin | 472,581 | 452,366 |
| Mjete në tregjet globale | €3,129,784,625 | €2,581,686,781 |
| Mjete në fletobligacionet e Kosovës | €395,603,454 | €437,123,045 |
| Afatizime bankare në Kosovë | €231,122,193 | €164,228,724 |
| Tarifa për investime | 0.30% | 0.31% |
| Tarifa për operacione | 0.047% | 0.048% |
*Shifrat për vitin 2025 nuk janë përfundimtare.
** Janë vetëm pagesat e pensionimeve të vitit (si në numër ashtu edhe në vlerë), jo edhe pagesat e prapambetura.