+33 milionë € kthimi nga investimet në TM1
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) vazhdoi të ketë performancë tejet të kënaqshme nga investimet edhe në fillimvitin 2013. Nga investimet e bëra FKPK-ja pati një kthim bruto prej +33.47 milionë euro në tremujorin e përfunduar më 31 mars 2013. Performanca e investimeve e rriti për 4.32% vlerën e çmimit të aksionit, duke e çuar atë në 1.1652 euro.
Tremujori i parë u mbyllë me një rritje të konsiderueshme edhe të mjeteve nën menaxhim. Ato arritën në 795 milionë euro, nga 740 milionë euro që ishin në fund të vitit 2012. Sikurse mund të vërehet, rritja prej 55 milionë euro e mjeteve nën menaxhim erdhi më shumë nga performanca pozitive e investimeve të bëra, e më pak nga pagesat mujore të kontributeve pensionale.
Performanca në investime sipas muajve
Muaji Kthimi nga investimet (milionë euro)
Janar +14.01
Shkurt +6.71
Mars +12.75
Arsyet
Politika dhe strategjia investuese e Bordit Drejtues të FKPK-së dha frytet e veta në rezultatin e arritur në këtë tremujor. Performanca e investimeve të FKPK-së erdhi kryesisht nga tregu i aksioneve, i cili kontribuojë me 78% e totalit të kthimit nga investimet. Vet tregu global i aksioneve ishte me performancë të përzier, duke qenë me performancë më të mirë në SHBA, BE dhe Japoni; e me performancë negative në tregjet në zhvillim në Azi, Amerikë Latine dhe tregjet në zhvillim në përgjithësi. Por FKPK-ja përfitoi në këtë rast nga përqendrimi i investimeve pikërisht në tregjet me rezultat pozitiv. Performanca pozitive në SHBA e BE ishte si rezultat i mos shfaqjes së ngjarjeve negative me efekt të madh në tregje. Në anën tjetër, gjatë tremujorit pati lajme pozitive në SHBA: për rritjen ekonomike, deficitin tregtar dhe nivelin e papunësisë, duke ndikuar kështu në forcimin e besimit tek investitorët dhe konsumatorët. Ndërsa në BE, megjithëse Qipro u përballë me nevojën për ndihmë financiare nga BE, kurse Sllovenia dha sinjale të ngjashme, tregjet nuk u ndikuan shumë nga këto ngjarje. Sidoqoftë, kriza e borxheve në BE vazhdon të jetë shqetësuese për FKPK-në, pasi ky problem vazhdon të mos jetë i zgjidhur përfundimisht.
Shpërndarja e pasqyrave të llogarive
FKPK-ja përmes Postës së Kosovës ka filluar në mars shpërndarjen e pasqyrave në emër të 387 mijë kontribuuesve që kishin llogari të hapur në FKPK në fund të vitit 2012. Nga raportet e marra nga Posta procesi i shpërndarjes është drejt përmbylljes. FKPK-ja inkurajon të gjithë kontribuuesit që mund të mos kenë pranuar pasqyrën e llogarisë së kursimit pensional që të kontaktojnë FKPK-në. Lusim kontribuuesit të jenë të vëmendshëm që të informojnë saktë dhe në kohë FKPK-në për ndryshimin e adresës së tyre, pasi ndryshe dërgimi i pasqyrës bëhet i pamundur. Veç kësaj ftojmë kontribuuesit të aplikojnë për hapjen e llogarisë elektronike në FKPK, përmes së cilës munden në baza ditore të informohen përmes internetit për gjendjen e llogarisë së tyre të kursimeve. Aplikimi është i lehtë dhe ofrohet falas.