04.09.2023

Bordi Drejtues mbajti mbledhjen e parë konstituive

Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) e mbajti më 1 shtator 2023, në selinë e FKPK-së në Prishtinë, mbledhjen konstituive në përbërjen e re, që u emërua nga Kuvendi i Kosovës në seancën e 13 korrikut 2023.

Kryesuesi i Bordit Drejtues, z. Emanuel Bajra, e udhëhoqi këtë mbledhje, në të cilën morën pjesë të gjithë anëtarët e emëruar:
znj. Mimoza Mustafa, z. Trim Shala, z. Shpresim Vranovci dhe z. Cyril Demaria-Bengochea.

Z. Bajra deklaroi në hapje të mbledhjes se besonte që ky rrugëtim i përbashkët, i të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues dhe Menaxhmentit të FKPK-së, do të jetë interesant, dhe se dëshiron një bashkëpunim të afërt për të mirën e interesit të kontribuuesve.

Bordi Drejtues shqyrtoi çështje të rëndësishme në këtë mbledhje, bazuar në rekomandimet e Komisionit të Investimeve dhe Auditimit.

Veç këtyre, Bordi Drejtues u njoftua nga Menaxhmenti i FKPK-së për historikun e zhvillimit të institucionit dhe për sfidat e mundshme. Menaxhmenti e informoi Bordin edhe për gjendjen në institucion, veçanërisht prej datës së fundit të mandatit të Bordit paraprak, dhe me çështjet që meritojnë vëmendje më me përparësi.

Z. Bajra dhe anëtarët e tjerë e mirëpriten informimin nga Menaxhmenti dhe deklaruan vullnetin e gatishmërinë e plotë të Bordit Drejtues për të marrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i dinamizuar dhe avancuar proceset vendimmarrëse të Bordit Drejtues dhe Menaxhmentit, për t’iu përgjigjur kështu përshtatshëm sfidave në të ardhmen.