Sipas Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale në Kosovë, Bordi Drejtues i FKPK-së përbëhet nga tetë (8) anëtarë, njëri prej të cilëve është përfaqësues i Qeverisë pa të drejtë vote.

  • Të paktën pesë (5) anëtarë duhet të kenë përvojë dhjetëvjeçare në institucione relevante financiare apo kërkime akademike të pranuara ndërkombëtarisht.
  • Së paku një (1) nga anëtarët e Bordit Drejtues duhet të ketë përvojë profesionale për përfaqësimin ose këshillimin e punëdhënësve në Kosovë.
  • Së paku një (1) nga anëtarët e Bordit Drejtues duhet të ketë përvojë profesionale në përfaqësimin ose këshillimin e punonjësve apo përfaqësuesve të tyre në Kosovë.
  • Përfaqësuesi i Qeverisë, emërohet nga Kryeministri dhe nuk ka të drejtë vote.

– Të gjithë anëtarët janë fiduciarë dhe emërohen mbi bazën e integritetit dhe përvojës së tyre në fushën e pensioneve, financave, investimeve.

– Struktura e Bordit Drejtues dhe kriteret për përbërjen e tij janë përcaktuar me qëllim të sigurimit të një kombinimi të balancuar të përvojës dhe ekspertizës profesionale në fushat e pensioneve, financave dhe investimeve.

– Anëtarët e Bordit Drejtues kanë përgjegjësi për mbikëqyrjen e përgjithshme të administrimit të FKPK-së dhe ofrimin e udhëzimeve strategjike, veçanërisht në përcaktimin e politikave investuese.

– Në ushtrimin e funksioneve të veta, Bordi Drejtues merr vendime pas konsultimeve me Drejtorin Menaxhues dhe stafin e FKPK-së, në përputhje me Ligjin, Statutin dhe Rregulloren e punës së Bordit Drejtues të FKPK-së.