€108 milionë kthimi bruto nga investimet në gjashtëmujorin e parë
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës arriti performancë tejet të kënaqshme edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Kthimi bruto nga investimet për periudhën janar-qershor 2021 arriti në +108 milionë euro, kurse asetet e fondit u rriten për 177 milionë euro dhe arritën në 2.17 miliardë euro.
Kjo performancë pozitive erdhi si nga vlerësimi i tregjeve financiare ashtu edhe nga vendimmarrja e FKPK-së në alokimin taktik përgjatë kësaj periudhe. Këtë vit institucioni ka drejtuar investime në instrumente të reja financiare, për t’i dhënë edhe më shumë diversitet, e rrjedhimisht shpërndarje riskut investues, duke synuar kthim sa më të lartë.
Njëkohësisht investimet në Kosovë kanë vazhduar kryesisht në letrat me vlerë të Qeverisë dhe depozitat bankare, ku këto investime ne fund të gjashtëmujorit ishin rreth 568 milionë euro. Sikurse është deklaruar edhe më parë, Bordi vazhdimisht synon rritjen e investimeve brenda vendit.
Me këtë rezultat FKPK-ja ka arritur në rreth 660 milionë euro kthim bruto nga investimet prej themelimit.
Po ashtu gjatë këtij gjashtëmujori u përmbyll me sukses edhe procesi i tërheqjes së 10%, përmes të cilit 427,363 kontribuues i tërhoqën mbi 198 milionë euro, me fitim mesatar prej 24.2%.