16.01.2014

€71 mln. kthimi nga investimet për 2013

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), edhe gjatë vitit 2013 vazhdoi me kthim pozitiv nga investimet. Bordi Drejtues dhe Menaxhmenti, në kuadër të aktiviteteve të veta, në mënyrë të vazhdueshme kanë pasur kujdes: interesin e kontribuuesve, diversifikimin e mjeteve pensionale dhe kthimin nga investimet, të cilat janë edhe parime të përcaktuara me ligj. Bordi Drejtues beson se ka marrë vendime të drejta, të përgjegjshme dhe profesionale dhe është angazhuar që raportimi, komunikimi dhe bashkëpunimi me institucionet ndërlidhëse, kontribuuesit, medien dhe publikun të sigurojë efiçiencë dhe transparencë.

Gjatë vitit 2013 i është raportuar rregullisht Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe Bankës Qendrore. Po ashtu është bashkëpunuar ngushtë me Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe ka vazhduar komunikimi i rregullt me Fondin Monetar Ndërkombëtar e Bankën Botërore. Bordi Drejtues është i kënaqur që Kuvendi i Kosovës e miratoi pa asnjë vërejtje Raportin Vjetor 2012, në të cilin është përfshirë edhe raporti i auditorit të jashtëm, që dha opinion të pakualifikuar për pasqyrat financiare të FKPK-së.

Në fushën e investimeve mund të thuhet se FKPK-ja pati edhe një vit të suksesshëm. Viti 2013 u mbyll me një kthim bruto nga investimet prej rreth 71 milionë euro, ose një rritje neto prej 8.5% e çmimit të aksionit. Në vlerë nominale ky është rezultati më i mirë në fushën e investimeve që FKPK-ja e ka arritur ndonjëherë. Vetëm për dy vjetët e fundit, 2012 e 2013, kthimi bruto nga investimet e FKPK-së është rreth 125 milionë euro.

Në anën tjetër, kontributet pensionale gjatë vitit 2013 arritën në rreth 119 milionë euro, që ishin për 6 milionë euro më shumë sesa kontributet e akumuluara gjatë vitit 2012.

Si rezultat: mjeteve nën menaxhim për vitin 2013 iu shtuan 71.1 milionë euro nga investimet dhe 119.1 milionë euro nga kontributet; kurse iu zbritën 10.7 milionë euro për pensionet e tërhequra, 1.5 milionë euro për refondime të pagesave të gabuara, si dhe 4.6 milionë euro për financimin e shpenzimeve investuese dhe atyre operacionale të FKPK-së. Krejt kjo bëri që mjetet nën menaxhim të rriten për 173.4 milionë e të arrijnë në 913.1 milionë euro në fund të vitit 2013.

Megjithëse Bordi Drejtues edhe për vitin 2013 vazhdoi të ketë një strategji relativisht konservative në fushën e investimeve, rezultati i kthimit nga investimet, pra 8.5%, ishte mjaft i kënaqshëm; aq më tepër kur indeksi vjetor i çmimit të konsumit (inflacioni) në Kosovë, cak i cili nga ana e Bordit Drejtues synohet të arrihet dhe tejkalohet përmes investimeve, kishte pasur rritje prej vetëm 0.55% gjatë vitit 2013. Pjesa më e madhe e kthimit nga investimet u arrit nga tregu i aksioneve në tregjet e zhvilluara, që kishin rreth 35% të portofolit investues. Ndërsa kontribut më të vogël, por pozitiv, dhanë investimet në: instrumente me kthim absolut, treg të kredisë, dhe letrat me vlerë që Qeverisë së Kosovës e depozitat bankare po në Kosovë.

  • Pensione të shpërndara

Gjatë 2013-s ishin 3,567 llogari të reja nga të cilat u tërhoqën mjetet, ndërkohë që vlera e mjeteve që në tërësi u tërhoqën gjatë vitit arriti në10.7 milionë euro. Numri i përgjithshëm i llogarive me tërheqje prej themelimit shkoi në 20,503, ndërsa vlera e përgjithshme e tërhequr iu afrua 39 milionë eurove.

  • Llogaritë e kontribuuesve

Numri i kontribuuesve që kanë llogari në FKPK arriti në 447,259 nga 418,064 sa ishin një vit më parë. Ndërsa numri i kontribuuesve që gjatë vitit 2013 ishin aktiv, pra për të cilët ka patur pagesa të kontributeve pensionale për vitin, është 277,305; një rritje kjo prej 4.2% krahasuar me 266,026 persona për të cilët ka patur pagesa të kontributeve pensionale për vitin 2012.

  • Investimet në Kosovë

Në fund të vitit 2013 FKPK-ja i kishte në total 53 milionë euro të investuara vetëm në Letrat me Vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Një vit më parë investimet në Kosovë ishin 46 milionë euro, por nga këto 14 milionë euro ishin në Letrat me Vlerë, kurse pjesa tjetër në depozita bankare. Investimet në Letrat me Vlerë të Kosovës për vitin 2013 janë shfrytëzuar në nivelin maksimal të lejueshëm me Ligj.

  • Operacionet

Gjatë vitit 2013 Fondi i Kursimeve Pensionale vazhdoi të ketë rritje në të gjitha fushat e marrëdhënieve me klientë: shtypjen e pasqyrave të llogarisë, korrigjimin e adresave, aktivizimin e llogariveonline, aplikimin për pension, përgjigjen në pyetjet në email dhe uebmail dhe shërbimin eTrusti. Në total, numri i klientëve individualë të shërbyer nga FKPK-ja gjatë vitit 2013 tejkaloi shifrën 67 mijë, që ishte një rritje prej 60% krahasuar me shërbimet e ofruara një vit më parë, kur u ofruan 42 mijë shërbime. Kurse numri i pasqyrave që do t’u dërgohen kontribuuesve për vitin 2013 është shtuar për rreth 55 mijë, nga 358 mijë që ishin për një vit më parë.

Përkundër kësaj, FKPK-ja ka kërkuar ulje të taksës menaxhuese, pra shpenzimeve për operim, për vitin 2014, nga 0.15% në 0.13%, kërkesë e cila edhe është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.

  • Faktet kryesore

Në tabelën më poshtë paraqiten faktet kryesore të përmbledhura për dy vjetët e fundit. Të dhënat përfundimtare për vitin 2013 do të prezantohen në Raportin Vjetor 2013, pas auditimit të pasqyrave financiare nga auditori i jashtëm profesional.

Tabela: faktet kryesore për fundvitet 2013 dhe 2012

Faktet

Më 31 dhjetor 2013

Më 31 dhjetor 2012

Kthimi bruto nga investimet për vitin

€71.1 milionë

€54.2 milionë

Mjetet nën menaxhim

€913.2 milionë

€739.8 milionë

Çmimi i aksionit

€1.2117

€1.1170

Performanca neto e investimeve

8.5%

8.0%

Kontribute të arkëtuara gjatë vitit

€119.1 milionë

€113.0 milionë

Pensione të shpërndara gjatë vitit

€10.7 milionë

€8.7 milionë

Të pensionuar gjatë vitit

3,567

3,264

Llogari të kontribuuesve

447,259

418,064

Kontribuues për 2013 (aktivë)

277,305

266,026

Investimet në Kosovë në fund të vitit

€53.1 milionë

€46.5 milionë

Klientë të shërbyer

67,786

42,189

Taksat menaxhuese

0.53%

0.60%

Pasqyra të llogarive që u dërgohen kontribuuesve

412 mijë

338 mijë

Pensione të shpërndara prej themelimit

€38.9 milionë

€28.2 milionë

Përfitues të pensionit prej themelimit

20,503

16,936