Realizohet rimbursimi i 10%-shit për të pensionuarit e 2024-s
Qeveria e Kosovës më 26 korrik 2024 e ka paguar këstin e dytë për rimbursimin e 10%-shit për kontribuuesit që i kishin të grumbulluara deri në 9,999 euro në llogarinë e FKPK-së në momentin e aplikimit për tërheqjen e parakohshme të 10%-shit. Prioriteti i rimbursimit të kontribuuesve përcaktohet me memorandumin e bashkëpunimit në mes të FKPK-së dhe Qeverisë së Kosovës.
Për vitin 2024 Qeveria e Kosovës i ka rimbursuar 1,873,875.75 euro për gjithsej 4,255 pjesëmarrës, të cilët: (a) këtë vit e arrijnë moshën e pensionimit 65 vjeçare (pra janë të lindur në vitin 1959), ose (b) kanë vdekur, dhe kursimet e tyre janë tërhequr nga trashëgimtarët e tyre (që nga rimbursimi i vitit 2023).
Në këtë datë të raportimit, me tërheqje kursimesh ishin 2,464 pjesëmarrës (me shumë të riimbursuar 1.17 milionë euro); dhe për ta FKPK-ja më 31 korrik 2024 e ka kryer bartjen, e 10%-shit të riimbursuar, në llogaritë bankare përkatëse (në llogarinë e kursimeve për pjesëmarrësit në programin e tërheqjes në faza ose në llogarinë rrjedhëse për personat me tërheqje të menjëhershme kursimesh).
Kujtojmë këtu se në vitin 2023 Qeveria e Kosovës kishte paguar këstin e parë në shumë 5,431,049.56 euro për të gjitha llogaritë e tërhequra dhe ato që pritej të pensionoheshin para dhe gjatë vitit 2023.
Sa i përket rimbursimit për pjesëmarrësit e tjerë, në përputhje me ligjin, ato do të vazhdojnë deri në vitin 2028.