Fillon rimbursimi nga Qeveria e Kosovës për 10%-shin e tërhequr
Qeveria e Republikës së Kosovës i ka transferuar mjetet, në shumën prej €5,431,049.56, për rimbursimin e një pjese të kontribuuesve që i kanë tërhequr 10% të kontributeve pensionale përgjatë periudhës prej 11 dhjetor 2020 e deri më 6 prill 2021.
Sipas marrëveshjes mes Ministrisë së Punës dhe Transfereve dhe Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për këtë vit do të rimbursohen kontribuuesit që tashmë i kanë tërhequr kursimet e tyre në bazë të kritereve ligjore dhe ata që mbushin moshën e pensionimit deri më 31.12.2023.
Për kontribuuesit e tjerë, sipas ligjit, ky rimbursim do të vazhdojë deri në vitin 2028, kur pritet që të përfundojë i tërë ky proces.
Varësisht nga shuma për rimbursim që do të miratohet për secilin vit nga Kuvendi i Republikës Kosovës shpërndarja do të bazohet në këtë metodologji edhe në vitet vijuese.