30.04.2020

FKPK-ja i investon edhe €50 milionë në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) përmes plasimit direkt, ka investuar edhe 50 milionë euro me afat 10-vjeçar të maturimit në letrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Norma e interesit për këtë investim do të jetë 3.95% dhe pagesa e interesit do të bëhet çdo 6 muaj. FKPK-ja, në këtë mënyrë, ka vazhduar investimin brenda vendit, duke pasur gjithnjë parasysh parimet e obligueshme me Ligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, që synojnë mbrojtjen e interesit të kontribuuesve përmes: 1) sigurisë së fondit pensional; 2) shumëllojshmërisë së investimeve; 3) fitimit maksimal në përputhje me sigurinë e fondit pensional dhe 4) mirëmbajtjen e likuiditetit adekuat.

Bashkë me këtë investim, FKPK-ja tashmë i ka në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës gjithsej 385 milionë euro, duke përbërë kështu rreth 20% të të gjitha investimeve të institucionit. Duke llogaritur edhe depozitat në bankat në Kosovë (rreth 188 milionë euro) mjetet e investuara në Kosovë tashmë kanë arritur në 573 milionë euro, ose sa rreth 30% e të gjitha mjeteve të fondit. Këto janë edhe investimet më të larta ndonjëherë nga FKPK-ja në Kosovë.

Kuptohet se përveç rolit kryesor që investimet kanë për ruajtjen dhe rritjen e vlerës së kursimeve pensionale të kontribuuesve të FKPK-së, investimet në Kosovë (sidomos në këtë moment) shërbejnë tërthorazi për të ndihmuar edhe situatën e rëndë ekonomike që po kalon vendi nga pandemia e COVID-19. Dhe ky fakt gjithashtu është respektuar. Bordi Drejtues, sikurse ka deklaruar vazhdimisht, përsërit qëndrimin që sa më shumë mjete të FKPK-së të investohen brenda vendit, për sa kohë kjo është e mundur ligjërisht e në interes të kontribuuesve.