17.06.2013

Gjysma e parë e vitit pozitive për investimet

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) e mbylli gjysmën e parë të vitit 2013 në vlera pozitive. Kthimi bruto nga investimet për këtë periudhë është rreth 17 milionë euro, ose 2.1%. Si rezultat, çmimi i aksionit në fund gjysmës së parë të të vitit ishte 1.1405 euro, i ngritur nga 1.1170 euro që ishte në fund të vitit 2012.

Për ndryshim nga tremujori i parë i vitit, kur investimet rezultuan me kthime pozitive çdo muaj, në tremujorin e dytë oscilimet ishin shumë të forta. Tregjet financiare globale vazhduan të jenë kryesisht në vlera pozitive deri në muajin e gjashtë, kur u shfaqen në skenë një sërë ngjarjesh negative. Kështu: në vendet në zhvillim rritja ekonomike humbi ritmin e rritjes; në Bashkimin Evropian disa vende rishfaqen nevojën për ndihmë financiare, ashtu sikurse të dhënat për rritjen ekonomike dhe papunësinë vazhduan të mos jenë të kënaqshme; e në SHBA deklarata e shefit të FED se lehtësirat fiskale nuk pritet të zgjasin edhe gjatë, tronditi tregjet financiare.

Gjithsesi, fakti që gjysma e këtij viti u mbyllë pozitivisht është inkurajues për investimet e FKPK-së, ashtu sikurse shenjat e para të gjysmës së dytë janë sinjale të para, por jo përfundimtare, të trendit pozitiv të tregjeve financiare.