11.10.2024

Investimet e FKPK-së me ngritje edhe për TM3 2024

Edhe tremujori i tretë i 2024-s u përmbyll me ngritje të vlerës së mjeteve. Tre portofolat investues të FKPK-së dolën pozitivë për TM3 sikurse në vijim:

1) Portofoli Standard me +2.9% (i grupmoshës 16-57 vjeç);
2) Portofoli i Balancuar me +2.5% (i grupmoshës 58-62 vjeç) dhe
3) Portofoli Konservativ me +1.2% (i grupmoshës 63 vjeç e sipër).

Megjithatë, edhe pse ky tremujor u përmbyll kënaqshëm pozitivisht, ai u karakterizua me luhatshmëri më të lartë të tregjeve financiare nga sa pritej.

Analizuar gjithë tremujorin: muaji korrik ishte pa luhatje të forta, dhe kryesisht me ngritje, në fillim të muajit gusht tregjet financiare pësuan rënie të shpejtë dhe të fortë. Kjo erdhi nga frika e ngadalësimit ekonomik në SHBA dhe nga zbehja e treguesve të punësimit atje, por edhe nga luhatja e fortë të valutës së Japonisë. Rikuperimi nga kjo gjendje fatmirësisht ishte tejet i shpejtë, duke bërë që FKPK-ja të kapte ngritje prej +4.4% në fund të muajit gusht.

Porse fundi i këtij tremujori u karakterizua nga lehtësimi i politikave monetare në SHBA (në muajin shtator), përmes uljes së normave të interesit dhe duke ndikuar kështu pozitivisht në ngritjen e kërkesës për investime në tregun e aksioneve.

Ndërsa vlerësuar për vitin aktual, FKPK-ja ka grumbulluar një kthim bruto nga investimet prej rreth 200 milionë euro për periudhën 1 janar e deri më 30 shtator 2024, vlerë kjo e akumuluar nga të tre portofolat e mësipërm investues.

Sikurse e kemi shpjeguar në publikimet tona të rregullta, FKPK-ja ekspozohet në mbi 1 mijë entitete në investimet e saja në tregjet financiare ndërkombëtare.

Në vijim po e prezantojmë listën e 10 entiteteve me përqendrimin më të madh të mjeteve pensionale të investuara nga Portofoli Standard më 30 shtator 2024:

Nr Entiteti Vlera e investimit

(në milionë)

Përqindja
1. Obligacione të Kosovës €221.6 8.7%
2. Microsoft Corp. €59.6 2.3%
3. Obligacione të Italisë €48.3 1.9%
4. Alphabet Inc. €41.9 1.6%
5. Apple Inc. €40.3 1.6%
6. Nvidia Corp. €39.8 1.6%
7. Obligacione të Austrisë €31.6 1.2%
8. BPCE SA €22.1 0.9%
9. Credit Mutuel €21.4 0.8%
10. Amazon Inc. €21.4 0.8%