Mbledhja e kontributeve për financimin e pensioneve të kursimeve individuale
Si paguhen dhe si grumbullohen kontributet pensionale?
Rregullat e përcaktuara për grumbullimin e kontributeve pensionale, zbatohen për të gjithë të punësuarit në Republikën e Kosovë,s të cilët kanë rezidencë të përhershme, me përjashtim të shtetasve të vendeve me të cilat Republika e Kosovës ka marrëveshje të nënshkruara bilaterale në fushën e pensioneve. Për të parë nëse jeni pjesë e këtij përjashtimi, ju lutem konsultoni rubrikën Legjislacioni.
Në përputhje me ligjin për Fondet pensionale në Kosovë, çdo punëdhënës është i obliguar që, për punonjësit të cilët s’e kanë arritur moshën e pensionimit, të kontribuojë në emër të tyre, si dhe në emër të vetin, në FKPK. Pra:
1. Nëse jeni i punësuar, para ndalesës së tatimit në burim, punëdhënësi juaj detyrohet të:
a) Ndalojë 5-15% të pagës suaj brutosi kontribut pensional;
b) Paguajë shtesë për ju, 5-15% të pagës suaj bruto.
Pra, punëdhënësi, duhet të paguajë në FKPK së paku 10% të pagës suaj bruto (5% nga ju + 5% nga punëdhënësi). Ndërkaq, sa i përket normave tatimore që zbatohen mbi të ardhurat personale, vizitoni faqen e Administratës Tatimore të Kosovës.
2. Nëse jeni i vetëpunësuar, pagesën e kontributeve pensionale duhet ta bëni ju, çdo tre muaj, dhe atë:
a) Nëse paguani tatim mbi të ardhura bruto, me ndalesa të lejueshme më të ulëta (para ndalesave për kontribut pensional), kontribuimi juaj duhet të jetë:
• Minimalisht 10% e të ardhurave tuaja neto tremujore, por jo më shumë se 600 euro për tremujor.
• Maksimumi: deri në 30% e të ardhurave tuaja neto tremujore.
b) Nëse paguani tatim mbi të ardhurat në bazë të supozimit, kontribuimi juaj duhet të jetë:
• minimalisht një e treta (1/3) të shumës së tatimit të prezumuar,
• maksimalisht trefishi i shumës minimale.
c) Për të gjitha kategoritë e personave të vetëpunësuar, minimumi i tremujorit të kontributeve do të jetë tridhjetë përqind (30%) e Pagës Minimale.
• Nëse e përfshini veten në deklarimet mujore të pagave, për këto të ardhura vlejnë dispozitat e njëjta sikurse në rastin e të punësuarve (pika 1 sipër), pra 5% punonjësi + 5% punëdhënësi; ndërkaq për pjesën tjetër të të ardhurave vlejnë dispozitat për të vetëpunësuarit (pikat 2a) c) sipër).
Nëse kontributet raportohen dhe paguhen saktë nga punëdhënësi (apo nga ju nëse jeni i vetëpunësuar), ato alokohen automatikisht në llogarinë tuaj individuale të kursimeve pensionale në FKPK.
Për të verifikuar nëse kontributet tuaja janë duke u paguar dhe regjistruar, ju mund të:
• kontrolloni online transaksionet në llogarinë tuaj të kursimeve pensionale përmes platformës eTrusti të FKPK-së;
• kontrolloni online transaksionet në llogarinë tuaj të kursimeve pensionale përmes platformës eKosova;
• kërkoni gjendjen e llogarisë në sportelet tona, personalisht ose përmes një pale të tretë të autorizuar;
• prisni pasqyrën vjetore, e cila ju dërgohet nga FKPK-ja me postë fizike ose me postë elektronike, varësisht nga të dhënat tuaja të kontaktit.
Administrata Tatimore e Kosovës është e autorizuar që të nxjerrë rregullore lidhur me afatin kohor dhe mënyrën e deklarimit dhe pagesës së kontributeve të personave të vetëpunësuar, prandaj konsultohuni me kontabilistin tuaj lidhur me mënyrat e raportimit.