27.11.2013

Kuvendi miratoi taksat për 2014

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar më 20 nëntor 2013 taksën menaxhuese të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) për vitin 2014, të cilën ia kishte propozuar për miratim Bordi Drejtues i FKPK-së.

Bordi Drejtues kishte kërkuar miratimin e taksës menaxhuese të ndarë në: taksën investuese prej 0.40% (2013: 0.38%) dhe taksën operacionale prej 0.13% (2013: 0.15%). Në total i bie që kontribuuesit e FKPK-së, prej 1 janarit 2014, do të ngarkohen me taksë menaxhuese prej 0.53%; që kështu është ulur me 7pb, nga 0.60% sa ishte deri më 19 maj të vitit 2013.

Këto ndryshime në taksat menaxhuese kanë ardhur për shkak të ndryshimit të strategjisë investuese, ndryshim i cili pritet të sjell kalimin nga diversifimi i riskut në menaxhimin e riskut. Krejt kjo shoqërohet me nevojën e rritjes së menaxhuesve të mjeteve, çka e rritë edhe koston e investimit të mjeteve. Megjithatë, i gjithë ndryshimi ka për qëllim, të vetëm dhe kryesor, mbrojtjen e interesit të kontribuuesve të FKPK-së. Kjo përmes largimit të investimeve nga klasat investuese me më shumë risk, e kalimin në klasat investuese më të mbrojtura nga oscilimet në tregjet financiare.

Në anën tjetër, ulja e taksës operacionale erdhi për shkak të përfundimit të investimeve kapitale më 2013, por edhe rritjes së efikasitetit të stafit të FKPK-së, gjë që i ka ulur edhe nevojat financiare për operim.

Rikujtojmë këtu se, megjithëse FKPK-ja do ta ketë edhe më 2014 të njëjtën taksë menaxhuese, sikurse pas 19 maj 2013, Fondi i Kursimeve Pensionale do të vazhdojë të jetë bindshëm institucioni me taksën menaxhuese më të ulët në rajon.