Ndryshon tërheqja e pensionit në faza
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) njofton të gjithë kontribuuesit dhe të pensionuarit se vlera minimale e pensionit që do të tërheqin në shpërndarjen me faza nga Fondi Pensional i Kosovës nga 1 janari 2013 do të jetë 150 euro. Kjo vlen edhe për të gjithë të pensionuarit që janë duke tërhequr pension nga Fondi Pensional. Vlera e pensionit të tyre do të rritet nga 100 në 150 euro, po nga janari i këtij viti.
Me këtë nënkuptohet edhe se të gjithë kontribuuesit që përfitojnë pensionin dhe kanë kursime pensionale më shumë se 2,000 euro, e deri në 15,000 euro, vlera e pensionit nuk do të jetë më e vogël se 150 euro. Kurse kontribuuesit që kanë kursime pensionale më shumë se 15,000 euro, do të tërheqin nga 1% të shumës së pensionit çdo muaj.
Tërheqja e kursimeve pensionale pas vdekjes
Duhet të rikujtojmë këtu kontribuuesit për çështjen e tërheqjes së mjeteve pensionale në rast të vdekjes, dhe kjo bëhet sipas këtyre dy mundësive:
- Nëse kontribuuesi vdesë para aplikimit për pension – atëherë përfituesi (trashëgimtari) e tërheqë gjithë shumën e mbledhur në një pagesë të vetme; dhe
- Nëse kontribuuesi vdesë pas aplikimit për pension – atëherë përfituesi (trashëgimtari) i pensionit do të vazhdojë ta tërheqë kursimin pensional në faza, sikurse kontribuuesi i vdekur, derisa e gjithë shumë të shterojë.