FKPK-ja ka mandat ligjor t’i administrojë dhe investojë kursimet pensionale të qytetarëve, gjithmonë duke vepruar si administrues i besuar që mbron interesat e pjesëmarrësve dhe përfituesve. Për të përmbushur këtë mandat, Ligji për Fondet Pensionale i jep FKPK-së një sërë kompetencash që e mundësojnë të funksionojë në mënyrë të pavarur, transparente dhe profesionale.
Duke siguruar menaxhim të kujdesshëm të fondeve, zbatim të plotë të kornizës ligjore, publikim të rregullt të informacionit dhe qasje të lehtë për qytetarët, FKPK-ja garanton integritet, pavarësi dhe mbrojtje të mjeteve pensionale të pjesëmarrësve.
Në përputhje me Ligjin për Fondet Pensionale, FKPK ushtron funksionet e mëposhtme:
Funksionet kryesore
• Administrimi i llogarive individuale pensionale për të gjithë pjesëmarrësit në skemën e shtyllës së dytë.
• Investimi i kujdesshëm i mjeteve pensionale, sipas parimeve të sigurisë, diversifikimit dhe menaxhimit të rrezikut.
• Rritja e vlerës së kursimeve, përmes të ardhurave nga investimet që i atribuohen llogarive individuale.
• Pagesa e përfitimeve pensionale për pjesëmarrësit dhe përfituesit që plotësojnë kushtet ligjore.
• Veprimi si administrues i besuar (fiduciar), duke mbrojtur interesat e pjesëmarrësve dhe përfituesve mbi çdo interes tjetër.
Përgjegjësitë institucionale
• Sigurimi i menaxhimit transparent dhe profesional të fondeve pensionale.
• Veprimi gjithmonë në interesin më të mirë të kontribuuesve dhe përfituesve.
• Zbatimi i plotë i kornizës ligjore dhe rregullatore të BQK-së dhe Kuvendit të Kosovës.
• Ruajtjes dhe mbrojtjes së mjeteve të pjesëmarrësve.
• Publikimi i rregullt i informatave mbi performancën e investimeve, tarifat dhe shpenzimet operative.
• Ruajtja e pavarësisë dhe integritetit institucional në të gjitha proceset vendimmarrëse.
• Sigurimi i qasjes së lehtë për qytetarët në informata, llogari individuale dhe shërbime të përfitimeve.
Autorizimet kryesore
Për të përmbushur funksionet e veta dhe qëllimin për të cilin është themeluar, FKPK-ja i ka këto autorizime:
1. Menaxhimi i investimeve dhe partnerëve të jashtëm
FKPK ka të drejtë të:
• përzgjedhë dhe kontraktojë menaxherët e mjeteve, mbajtësit e mjeteve dhe fondet e investimeve të hapura përmes proceseve të hapura dhe konkurruese;
• zbatojë dhe mbikëqyrë marrëveshjet me të gjithë ofruesit e shërbimeve, duke përfshirë menaxherët e mjeteve, llogaritarët, avokatët, auditorët dhe ofruesit e tjerë profesionalë;
• miratojë parimet dhe politikat e investimeve që udhëheqin strategjinë afatgjatë të fondit;
• ndërpresë ose zëvendësojë ofruesit e shërbimeve kur kjo është në interes të pjesëmarrësve.
Këto kompetenca sigurojnë që kursimet e qytetarëve të investohen në mënyrë të sigurt, të diversifikuar dhe profesionale.
2. Administrimi i llogarive dhe pagesave pensionale
Për të garantuar funksionimin korrekt të llogarive individuale, FKPK-ja:
• siguron alokimin dhe përditësimin e saktë të fitimeve në llogaritë individuale;
• paguan mjetet nga llogaritë individuale tek siguruesit e anuiteteve për blerjen e pensioneve vjetore (për shkak të kushteve të tregut, aktualisht nuk ka sigurues të anuiteteve në Republikën e Kosovës);
• propozon tarifat vjetore të administrimit, të cilat miratohen nga Kuvendi i Kosovës.
Kjo siguron që proceset e pensionimit të bazuar në kursime, të jenë të sakta, transparente dhe në përputhje me ligjin.
3. Funksionimi i përditshëm i institucionit
Për të përmbushur mandatin e tij, FKPK-ja ka kompetenca të:
• lidhë marrëveshje për blerjen, shitjen apo marrjen me qira të pasurive dhe pajisjeve të nevojshme për operim;
• punësojë personelin ekzekutiv dhe joekzekutiv, në përputhje me Ligjin e Punës;
• kontraktojë sigurime të ndryshme, përfshirë sigurimin fiduciar për organet qeverisëse;
• përgatisë buxhetin vjetor dhe të menaxhojë shpenzimet sipas autorizimeve ligjore.
Këto autorizime i mundësojnë FKPK-së të funksionojë si një institucion i pavarur publik në menaxhimin e kursimeve pensionale të qytetarëve.