Përfaqësues të FKPK-së takohen me Guvernatorin e BQK-së
Kryesuesit i Bordit Drejtues të FKPK-së, z. Emanuel Bajra, i shoqëruar nga anëtarë të Bordit Drejtues dhe Drejtori Menaxhues, u pritën në takim nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare dhe bashkëpunëtorët e tij.
Z. Bajra e njoftoi Guvernatorin me situatën aktuale në FKPK, plotësimin e Bordit Drejtues me të gjithë anëtarët, por edhe nevojën për të analizuar ndyshimet legjislative dhe të qeverisjes për t’u përshtatur më mirë me zhvillimet e kohës. Po ashtu, ai informoi për pikëpamjet e FKPK-së me gjendjen aktuale në tregjet financiare globale, pritshmëritë e mundshme por edhe strategjinë që FKPK-ja është duke e ndjekur në fushën e investimeve, për të siguruar qëndrueshmërinë e investimeve sipas objektivave ligjore.
Nga ana tjetër, Guvernatori Ismaili i informoi drejtuesit e FKPK-së lidhur me zhvillimet kryesore në sektorin financiar, reformat e ndërmarra nga BQK-ja në avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, duke nënvizuar stabilitetin dhe performancën e mirë të sektorit financiar, si dhe nismat ligjore për gjithëpërfshirjen financiare, qasjen në financa dhe edukimin financiar. Ai shtroi nevojën për qasje të kujdesshme dhe vendimmarrje efektive në kohe të turbulencave të ndryshme globale dhe gjeopolitike.
Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe mundësitë që të shqyrtohen aspekte të reformës rregullative dhe mbikëqyrëse në kuadër të gjithë sektorit financiar, si dhe avancimin e kornizës rregulluese për FKPK-në, por dhe sektorit pensional në përgjithësi, përmes grupeve punuese teknike, duke i ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ishte vlerësim i përbashkët se rëndësia sistemike e FKPK-së dhe mbrojtja e interesit të kontribuuesve kërkojnë qasje të kujdesshme dhe bashkëpunim të vazhdueshëm institucional sipas përgjegjësive ligjore, për të kontribuar në stabilitetin e sektorit financiar dhe ekonomisë në përgjithësi.
Foto nga takimi