25.07.2024

Tre portofolet investues performojnë pozitivisht në gjashtëmujorin e parë 2024

Performanca e investimeve për periudhën prej 1 janarit e deri më 30 qershor 2024 u përfundua në nivel pozitiv për të tri portofolet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK).

Ky është lajm i mirë për kontribuuesit e FKPK-së, të cilëve iu reflektohet në përqindjet përkatëse ngritja e bilancit të kursimeve të akumuluara në FKPK për këtë periudhë të vitit.

Të dhënat e ndryshimi të çmimit të njësisë për secilin portofol paraqiten në tabelën në vijim.

Portofoli Standard

(16 deri 57 vjeç)

Balancuar

(58 deri 62 vjeç)

Konservativ

(63 vjeç e sipër)

Çmimi i njësisë
më 31.12.2023
€1.6764 €1.00* €2.1304
Çmimi i njësisë
më 30.06.2024
€1.7457 €1.0086 €2.16656
Ndryshimi i çmimit të njësisë 4.13% 0.86% 1.70%

*Portofoli i Balancuar ka filluar së zbatuari prej 31 marsit 2024.

Ndarja e kontribuuesve nëpër portofole të ndryshme bazuar në moshën e tyre  (një projekt ky i filluar më 2022 që u përmbyll në fund të marsit të këtij viti), është bërë me qëllim të menaxhimit më të mirë të riskut investues, për t’iu ofruar mbrojtje më të lartë kontribuuesve që janë më afër moshës së pensionimit.

Vlerësuar në terma nominalë, FKPK-ja për gjysmën e parë të vitit 2024 e ka arritur një kthim bruto prej rreth 118 milionë euro.

Ky rezultat pozitiv nga investimet erdhi nga përmirësimi i treguesve makroekonomikë globalë, e sidomos lehtësimit të presionit inflacionist, por ndikim kishte edhe përshtatja e alokimit taktik që Bordi Drejtues i FKPK-së e ndërmori për këtë periudhë.

Bordi Drejtues, i ndihmuar edhe nga Menaxhmenti i FKPK-së, do të vazhdojë të zbatojë parimet investuese të miratuara këtë vit (në Deklaratën e Parimeve të Investimeve), duke qenë gjithnjë në harmoni me legjislacionin në fuqi, dhe me synim kryesor ngritjen e vlerës së kursimeve pensionale, por edhe menaxhimin sa më efektiv të riskut investues, për të gjithë kontribuuesit e FKPK-së.