08.08.2024

Zhvillimet në tregjet financiare dhe efektet në investimet e FKPK-së

Tregjet globale financiare kanë shfaqur luhatshmëri të konsiderueshme që nga mesi i muajit korrik, porse turbulenca u intensifikua dukshëm në muajin gusht. Kjo situatë paqëndrueshmërie e shtyu indeksin global të aksioneve në nivelin më të ulët që nga muaji tetor 2023.

Megjithatë, duhet pasur parasysh, se para kësaj turbulence, tregjet financiare kishin përjetuar ngritje të fuqishme – përgjatë periudhës tetor 2023 e deri gjysmën e parë të korrikut 2024. Ajo ngritje kishte ardhur kryesisht për shkaqe të: (1) Rënies së trendit global të inflacionit; (2) Momentit të përparimit të kompanive të industrisë teknologjike dhe (3) Lehtësimeve monetare të bankave qendrore, si BQE, përmes uljes së normave të interesit. Për atë periudhë, kthimi nga investimet për Portofolin Standard të FKPK-së ishte me një ngritje prej +9.3%.

Arsyet kryesore që ndikuan në turbulencën aktuale të tregjeve ndërlidhen me: a) Tregun e punës në SHBA, me një ngritje të befasishme të papunësisë; b) Frikën nga recesioni i mundshëm ekonomik dhe normat e larta të interesit (të vendosura nga FED); c) Uljen e pritshmërive për përfitimet e mëtutjeshme të kompanive teknologjike (nga prezenca e shtuar e inteligjencës artificiale), si dhe d) Vlerësimi i shpejtë dhe i fortë i valutës së Japonisë (Yenit), duke çrregulluar ekuilibrin e transaksioneve ndërkombëtare. Të gjitha këto zhvillime krijuan pasiguri në tregje duke e çuar indeksin e luhatshmërisë (VIX), që vije nga frika, në nivelin më të lartë që nga periudha e Covid-19.

Në këtë situatë, Portofoli Standard dhe Portofoli i Ndërmjetëm i FKPK-së kanë shfaqur qëndrueshmëri të theksuar përkundër rënies së ndjeshme në tregje. Kombinimi i klasave të ndryshme të aseteve investuese, regjioneve dhe sektorëve të ndryshme ka rezultuar në rezistencë të konsiderueshme kundrejt intensitetit të zhvillimeve të fundit në tregje.

Për krahasim, në momentin më kritik të tregjeve, Portofoli Standard ra me -3.3% dhe Portofoli i Ndërmjetëm me -2.8%, kundrejt rënies së indeksit global të aksioneve prej -9.2%. Kuptohet se në këtë krahasim nuk është futur Portofoli Konservativ i FKPK-së, ngase ekspozimi i tij është tejet minimal në tregjet financiare; duke vazhduar (sikurse pritet) me ngritje edhe në këtë periudhë.

Përkundër këtyre zhvillimeve të fundit, kthimi i FKPK-së në Portofolin Standard mbetet në terren pozitiv prej +3.4% për vitin e fundit, si dhe +15.5% për pesëvjeçarin e fundit.

Ju rikujtojmë se FKPK-ja që nga 31 marsi 2024 e ka zgjeruar strategjinë investuese duke shtuar portofol të ri për kontributdhënësit e moshës 58-62 vjet. Për më shumë informata ju mund t’i referoheni Deklaratës së Parimeve Investuese të FKPK-së në linkun: https://trusti.org/sq/investimet/deklarata-e-parimeve/

Përkundër këtyre turbulencave të fundit, sikurse është dëshmuar prej më shumë se 20 vjetësh, FKPK-ja mbetet me përkushtim të plotë në ngritjen e qëndrueshmërisë së strategjisë investuese dhe përmbushjen e objektivave të sigurisë, diversifikimit dhe kthimit nga investimet.