Zhvillimet në tregjet financiare dhe ndikimi në FKPK
Prishtinë 11 prill 2025: Tregjet financiare globale janë përballur së fundmi me një valë paqëndrueshmërie, për shkak të tensioneve tregtare nga rritja e tarifave në tregtinë ndërkombëtare. Këto zhvillime kanë nxitur reaksion në tregjet globale të aksioneve pasi që tarifat mund të ndikojnë në rritje të konsiderueshme të inflacionit dhe si pasojë të shkaktojnë recesion global ekonomik.
Që nga fillimi i vitit 2025 e deri në datën e raportimit, indekset e rëndësishme të bursave, si S&P 500 dhe NASDAQ, kanë shënuar rënie -10.2% dhe -15%, përkatësisht. Përkundër kësaj, efektet në portofolat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ishin më të kontrolluara, për shkak të strukturës së balancuar dhe strategjisë së diversifikimit që zbatohet në vazhdimësi.
Në vijim shihet ndikimi i luhatjeve të tregjeve deri më datën 10 prill në 2025, në portofolat investues të FKPK-së.
- Portofoli Konservativ (për kontribuuesit afër pensionimit 63+ vjeç): Nuk është i ekspozuar në tregje të huaja të aksioneve, andaj as nuk është i prekur, duke ofruar mbrojtje maksimale për kontributdhënësit para pensionimit. Kthimi për vitin aktualisht është +0.9%, ndërsa që nga themelimi i portofolit është +11.3%. Kjo dëshmon se të gjithë kontribuuesit që janë dy vjet, ose më afër pensionimit të moshës, nuk preken nga këto luhatje në tregjet financiare.
- Portofoli i Balancuar (për kontribuuesit e moshës 58-62 vjeçare): Ka shfaqur rezistencë të lartë kundrejt tregut të përgjithshëm, duke e reflektuar mbrojtjen që ofron qasja e balancuar ndaj investimeve në këtë grupmoshë. Kthimi për vitin aktualisht është -3.9%.
- Portofoli Standard (për kontribuuesit e moshës deri 57 vjeçare): Është ndikuar më dukshëm nga rëniet në tregjet e aksioneve, por mbetet në kuadër të pritshmërive (krahasuar me lëvizjet në tregjet financiare) për një portofol me horizont të gjatë investimi. Diversifikimi i aksioneve midis rajoneve dhe faktorëve të ndryshëm investues pritet të sjellë rezistencë të konsiderueshme ndaj ‘luftës së tarifave’ e cila mund të zgjasë më shumë sesa pritjet fillestare të pjesëmarrësve në treg. Kthimi për vitin aktualisht është -7.1%, ndërsa prej themelimit është +69.0%.
Është e rëndësishme të theksohet se rëniet aktuale njihen si humbje të parealizuara, pra janë subjekt i evoluimit të tregut dhe nuk përbëjnë humbje të vërteta për kontribuuesit. Strategjia e FKPK-së për investime të diversifikuara dhe afatgjata mbetet e njëjtë: të sigurojë rritje të qëndrueshme dhe stabilitet për të gjithë kontribuuesit, dhe mbrojtje maksimale për kontribuuesit afër pensionimit.
Për më shumë informata rreth qasjes sonë investuese, mund t’i referoheni Deklaratës së Parimeve Investuese të FKPK-së në vegzën në vijim: Deklarata e Parimeve të Investimeve
Grafik krahasues: