01.03.2023

Skadon mandati i anëtarëve të Bordit Drejtues

Më 28 shkurt 2023 të gjithë anëtarëve të Bordi Drejtues te Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) iu ka përfunduar mandati. Pra nga sot, 1 mars 2023, FKPK-ja është pa Bord Drejtues.

Për shkak se vendimmarrja rreth investimeve është përgjegjësi ligjore/fiduciare ekskluzive e Bordit Drejtues, e cila nuk mund të delegohet, mungesa e Bordit Drejtues ia pamundëson institucionit të ndërmarrë çfarëdo vendimi për investimin e mjeteve pensionale, si për investimet e mjeteve pensionale jashtë Kosovës ashtu edhe për ato brenda Kosovës. Pra, të gjithë investimet aktuale nuk mund të ndryshohen (shtohen ose tërhiqen), ashtu sikurse të gjitha kontributet e reja pensionale që arkëtohen – nuk mund të investohen.

Për të mos lënë zbrastësi vendimmarrëse me pasoja (të cekura më lart) ndaj mjeteve pensionale, me Ligj kërkohet hapja e konkursit me kohë në mënyrë që të ketë Bord Drejtues funksional në vazhdimësi.

Për rikujtim, konkursi për anëtarë të Bordit Drejtues në FKPK është mbyllur më 23 dhjetor 2022, dhe Komisionit Përzgjedhës (i caktuar sipas Ligjit mbi Fondet Pensionale), mbetet t’i shqyrtojë kandidatet potencialë që do t’ia procedojë për emërim Kuvendit të Kosovës.