20.01.2023

Performanca e investimeve për 2022

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës prej muajit shkurt 2022 i menaxhon mjetet pensionale sipas moshës së kontribuuesve përmes dy portofoleve investuese:
1) Portofolit Standard (për moshën deri 63 vjeç) dhe 2) Portofolit Konservativ (për moshën mbi 63 vjeç). Derisa Portofoli Standard është vazhdimësi e strategjisë investuese të FKPK-së, Portofoli Konservativ ka për qëllim kryesor izolimin e kontributeve pensionale më të ndjeshme ndaj luhatjeve në tregjet financiare globale. Andaj investimet në Portofolin Konservativ bëhen vetëm në Kosovë (në letrat me vlerë të Qeverisë dhe depozitat bankare) me normë interesi të paracaktuar. Për shkak të specifikave krejt të ndryshme, edhe raportimi i FKPK-së për performancën e investimeve të dyja portofoleve do të bëhet ndaras.


PORTOFOLI STANDARD

Performanca e investimeve për Portofolin Standard për vitin 2022 ishte -5.5% (2021: +10.7%). Në vlerë nominale kthimi nga investimet për vitin 2022 ishte rreth -120 milionë euro (2021: +227 milionë euro). Megjithëkëtë, kthimi bruto nga investimet e FKPK-së prej themelimit e deri në fund të vitit 2022 është rreth +660 milionë euro dhe çmimi i njësisë është ngritur për rreth 63%.

Tabela 1: Të dhënat e kthimit bruto nga investimet

Viti Kthimi nominal
(në euro)
Çmimi i njësisë
në fundviti
Ndryshimi neto
në çmimin e njësisë
2022 -120 milionë €1.6268 -5.54%
2021 +227 milionë €1.7222 +10.65%
2020 +72 milionë €1.5564 +3.03%
Nga themelimi +660 milionë +63%

Performanca negative për vitin 2022 erdhi si pasojë e një sërë faktorësh negativë e me peshë të rëndë për ambientin investuese global. Pasojave të pandemisë Covid-19 (me inflacionin e lartë, vonesave në zinxhirin furnizues, rënies së fuqisë blerëse dhe vështirësive buxhetore anembanë globit), iu shtua (dhe e përkeqësoi tutje) edhe lufta në Ukrainë; që nxiti rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, naftës, produkteve ushqimore dhe krijoi një gjendje alarmante për të ardhmen e ekonomisë globale dhe performancës investuese. Të gjitha këto ngjarje negative lanë pasoja të rënda (të krahasueshme me vitin 2008) në zhvlerësimin e indekseve në bursat kryesore të botës.

Bordi Drejtues qysh në fillim të vitit 2022, e në vazhdim, i kishte marrë një numër rekord vendimesh të rialokimit të mjeteve pensionale të investuara në tregjet financiare, duke e çuar në nivelin më të ulët historik riskun e investimeve të FKPK-së. Shkaku i këtyre vendimeve luhtashmëria dhe performanca e investimeve të FKPK-së qëndron krahasueshëm më mirë sesa indekset kryesore të aksioneve. Një tabelë me krahasimet e performancës së FKPK-së dhe indekseve kryesorë globalë është prezantuar në vijim.

Tabela 2: Performanca e FKPK-së kundrejt indekseve kryesorë botërorë për 2022

FKPK / Indeksi Performanca
Portofoli Standard i FKPK-së -5.5%
S&P500 -19.4%
MSCI world index -18.3%
Dow Jones -8.8%
Nasdaq -33.1%
Stoxx 600 -12.8%
FTSE 100 -19.7%
DAX 30 -12.4%

 

PORTOFOLI KONSERVATIV

Në Portofolin Konservativ, sikurse edhe ishte e pritshme, kishim ngritje prej +3.0% të çmimit të njësisë për vitin 2022. Për shkak se investimet e këtij portofoli janë vetëm në fletobligacionet e Qeverisë së Kosovës dhe depozitat bankare në Kosovë ato nuk janë prekur nga luhatjet dhe rëniet në tregjet financiare. Andaj vendimi i Bordit Drejtues në shkurt të 2022-s për të lansuar këtë portofol, sipas rekomandimeve të Menaxhmentit të FKPK-së, janë konfirmuar të duhura; duke siguruar kështu mbrojtje efektive për kontribuuesit afër pensionimit.


MJETET NËN MENAXHIM

Vlera e mjeteve nën menaxhim të FKPK-së më 31 dhjetor 2022 arriti në 2,412,052,183 euro. Krahasuar me fundvitin paraprak (2021: 2,353,174,912 euro) kemi një ngritje të mjeteve nën menaxhim për rreth 59 milionë euro. Kjo ngritje erdhi për shkak të kontributeve të reja për vitin 2022, që e kapën shifrën rekord prej rreth 241 milionë euro (2021: 213 milionë euro).

Tabela 3: Mjetet nën menaxhim në tri vjetët e fundit

Fundviti Vlera e mjeteve nën menaxhim
2020 €1,988,073,032
2021 €2,353,174,912
2022 €2,412,052,183

Kuptohet që për shkak të tërheqjeve të parakohshme, të lejuara nga Kuvendi i Kosovës (si pjesë e ndryshimeve ligjore për rimëkëmbje nga pandemia Covid-19), më 2020 dhe 2021 ishin tërhequr rreth 198 milionë euro, duke ndikuar në ulje të mjeteve nën menaxhim.

OPERACIONET – PROJEKTI IPSA

Në fushën e operacioneve projekti më i rëndësishëm për vitin 2022 ishte vendosja në përdorim e softuerit të ri (të përgatitur nga stafi i FKPK-së) për menaxhimin e llogarive të kontribuuesve (ndryshe IPSA). Ky softuer e zëvendësoi, sipas planit, softuerin paraprak të nënkontraktuar tek një operator i jashtëm. Me këtë ndryshim  institucioni përfitoi vlerë shtesë nga pronësia e plotë mbi këtë softuer, kosto më të ulët për operim e mirëmbajtje, por edhe epërsi të shumta në përdorim, sidomos me mundësinë e krijimit të më shumë se një portofoli investues.

PRITSHMËRITË PËR 2023

Ka një shkallë të lartë konsensusi se në vitin 2023 ekonomia globale do të përjetojë recesion, pasi politika e shtrënguar monetare do të krijojë presion të lartë e (kështu) ka për ta ngadalësuar aktivitetin global ekonomik. Në anën tjetër, vështirësitë në zinxhirin global të furnizimit janë lehtësuar, si dhe ri-hapja e ekonomisë së Kinës do të ndikojë në përmirësimin e aktivitetit global ekonomik. Gjithsesi ky konsensus është relativ për sa kohë nuk paraqiten ngjarje të paparashikueshme që mund ta ndërrojnë tërësisht perspektivën.

Nën këto parashikime, FKPK-ja do të vazhdojë të ndjek një strategji të kujdesshme të investimeve duke pasur në mendje gjithnjë parimet e përcaktuara në Ligjin për Fondet Pensionale, por edhe qëllimin afatgjatë të institucionit për ta tejkaluar normën e inflacionit në Kosovë.

FKPK-ja, gjatë 2023-s, pritet të ketë emërim të të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues (meqë mandati i anëtarëve në Bordit Drejtues aktual skadon më 28 shkurt 2023), dhe ky do të jetë një moment shumë i rëndësishëm për veprimet afatshkurtra dhe afatmesme të institucionit në të gjitha fushat e veprimit.

Tabela 4: Përmbledhje e treguesve kryesorë për fundvitin 2022 dhe 2021

TREGUESIT Më 31 dhjetor 2021 Më 31 dhjetor 2022*
Kthimi vjetor bruto nga investimet €227 milionë €-120 milionë
Kthimi bruto nga themelimi €782 milionë €660 milionë
Mjetet neto nën menaxhim €2,353,174,911 €2,412,052,183
Çmimi i njësisë në fundviti €1.7222 €1.6268
Kontribute të arkëtuara për vitin €212 milionë €241 milionë
Pagesa të pensioneve për vitin €68 milionë €55 milionë
Të pensionuar për vitin 7,239 7,131
Llogari të kontribuuesve 752,523 792,995
Llogari aktive për vitin 419,657 428,891
Investimet në tregjet financiare €1,808,309,791 €1,689,250,011
Fletobligacione të Kosovës €490 milionë €554 milionë
Depozita me bankat në Kosovës €45 milionë €137 milionë
Tarifa për investime / operacione 0.32% / 0.065% 0.32% / 0.057%

*Shifrat përfundimtare publikohen në pasqyrat vjetore të audituara.