Bordi Drejtues u takua me Kryetarin e Kuvendit
Anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), të udhëhequr nga Kryesuesi i Bordit Drejtues, z. Ymer Havolli, dhe në përbërje të anëtarëve vendës të Bordit Drejtues, z. Driton Qehaja dhe z. Ruzhdi Morina, u takuan dje me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.
Z. Havolli, pasi e falënderoi në emër të Bordit Drejues Kryetarin e Kuvendit për pritjen, e njohu atë me të dhënat kryesore në fushën e investimeve dhe të operacioneve të FKPK-së gjatë vitit 2013. Z. Havolli bëri të ditur se kthimi bruto nga investimet prej 71 milionë euro për 2013-n është rezultati më i mirë në vlerë nominale që FKPK-ja e ka arritur ndonjëherë, kurse pritshmëritë janë që edhe 2014-ta të jetë pozitive në fushën e investimeve. Gjithashtu z. Havolli nënvizoi bashkëpunimin shumë të mirë që FKPK-ja mbanë me Kuvendin e Kosovës, dhe veçanërisht, në emër të Bordit Drejtues, që Kuvendi i Kosovës e miratoi vitin e shkuar pa asnjë vëretje Raportin Vjetor 2012, duke theksuar se ky ka qenë një stimulim shtesë për gjithë FKPK-në.
Nga ana tjetër, z. Krasniqi, përgëzoi Bordin Drejtues për rezultatet duke uruar për suksese të mëtejme, duke vlerësuar gjithashtu raportet e mira që FKPK-ja mbanë me Kuvendin dhe kontribuuesit.
Foto: Gjatë takimit të delegegacionit të FKPK-së me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës