29.01.2014

Bordi i FKPK takon Ministrin e Financave

Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka vizituar Ministrin e Financave të Qeverisë së Kosovës, z. Besim Beqaj. Delegacioni i Bordit Drejtues të FKPK-së udhëheqej nga Kryesuesi i Bordit, z. Ymer Havolli, i shoqëruar nga dy anëtarët përfaqësues, z. Driton Qehaja e z. Ruzhdi Morina, dhe Drejtori Menaxhues.

Me këtë rast z. Havolli e ka informuar Ministrin, z. Beqaj, se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës edhe gjatë vitit 2013 vazhdoi me kthim pozitiv nga investimet. Z. Havolli deklaroi se Bordi Drejtues dhe menaxhmenti në mënyrë të vazhdueshme janë përkujdesur për interesin e kontribuuesve, diversifikimin e mjeteve pensionale dhe kthimin nga investimet, të cilat janë edhe parime të përcaktuara me ligj.

“Viti 2013 u mbyll me një kthim bruto nga investimet prej rreth 71 milionë euro. Në vlerë nominale ky është rezultati më i mirë në fushën e investimeve që FKPK-ja e ka arritur ndonjëherë. Vetëm për dy vjetët e fundit, 2012 e 2013, kthimi bruto nga investimet e FKPK-së ishte rreth 125 milionë euro”, tha z. Havolli.

Z. Havolli deklaroi gjithashtu gjatë 2013-s ishin 3567 llogari të reja nga të cilat u tërhoqën mjetet, ndërkohë vlera e mjeteve që në tërësi u tërhoqën gjatë vitit arriti në 10.7 milionë euro. Numri i përgjithshëm i llogarive me tërheqje prej themelimit të FKPK-së arriti në 20,503, ndërsa vlera e përgjithshme e tërhequr iu afrua 39 milionë eurove.

Duke përkrahur dhe përshëndetur aktivitetin e FKPK-së Ministri, z. Beqaj, theksoi se duhet vazhduar me kujdes të njëjtë me menaxhimin e mjeteve të FKPK-së dhe u angazhua që të krijohen kushtet ligjore që FKPK-ja të jetë pjesë e tregut primar të bonove të thesarit.

Dy institucionet vlerësuan se duhen bërë përpjekje që niveli i ekonomisë informale të jetë sa më i ulët, pasi kjo do të ishte në të mirë të zhvillimit ekonomik, konkurrencës në treg si dhe interesit të kontribuuesve.

Foto: Gjatë takimit të përfaqësuesve të FKPK-së me Ministrin e Financave

Takimi_FKPK_MEF