23.01.2019

Guvernatori i BQK-së priti në takim drejtues të FKPK

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), z. Fehmi Mehmeti, ka pritur dje në takim drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). FKPK në këtë takim përfaqësohej nga Kryesuesi i Bordit Drejtues, z. Ruzhdi Morina, i cili shoqërohej nga anëtarë të Bordit Drejtues dhe Drejtori Menaxhues i FKPK-së.

Guvernatori, Z. Mehmeti, është interesuar për gjendjen e investimeve të FKPK-së, rezultatin e vitit 2018 dhe për veprimet që Bordi Drejtues pritet t’i marrë gjatë vitit në vijim.

Nga ana tjetër, Kryesuesi i Bordit, z. Morina, e ka njoftuar Guvernatorin rreth zhvillimeve të lidhura me investimet e FKPK-së në tregjet financiare ndërkombëtare, duke theksuar se rënia e shënuar në tremujorin e fundit të vitit 2018, sidomos me dhjetorin më të keq në histori të tregjeve financiare, deri në një masë është kompensuar me kthimin pozitiv që kanë shënuar investimet e FKPK-së gjatë muajit janar 2019.

Morina po ashtu theksoi se investimet e FKPK-së bazohen në një politikë mjaft të kujdesshme të investimit, të bazuar në një baraspeshë mjaft konzervative ndërmjet kthimit dhe rrezikut, e cila në periudhën afatgjate ka rezultuar me një performancë mjaft të kënaqshme të investimeve, duke rezultuar me kthim pozitiv rreth 380 milionë në 10-vjeçarin e fundit.

Në këtë kontekst, me gjithë luhatjet afatshkurtra të tregjeve globale, Kryesuesi i Bordit Drejtues të FKPK-së theksoi se perspektiva afatgjate e investimeve të kontributeve pensionale të qytetarëve të Kosovës është pozitive.

Në mbyllje z. Mehmeti ka vlerësuar që Bordi Drejtues duhet t’i qëndrojë strategjisë së saj  të investimeve me fokus afatgjatë, por të shikojë edhe si t’i menaxhojë luhatshmeritë afatshkurtra në menyrë efektive.