07.02.2019

Janar 2019, kthimi nga investimet +55 milionë euro

Prishtinë, 7 shkurt 2019 – Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) njofton se kthimi bruto nga investimet vetëm për muajin janar 2019 ka shkuar në +55 milionë euro, ose një rritje e çmimit të aksionit prej +3.2%.

Përcaktues në performancën pozitive ishin investimet e FKPK-së në tregjet financiare jashtë Kosovës, ku indekset kryesore patën rritje të vrullshme, meqë tensionet tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës janë ulur, ndërsa treguesit makroekonomikë dhe të ardhurat e korporatave u deklaruan kryesisht pozitive.

Kjo lëvizje tejet pozitive e janarit 2019, që vije pas rënies së fortë të dhjetorit 2018, ilustron më së miri faktin, që në vazhdimësi e kemi deklaruar, se lëvizjet afatshkurtra (ngritjet e rëniet) në tregjet financiare janë të zakonshme, andaj duhen vlerësuar dhe raportuar si të tilla, pra si një proces ciklik.

FKPK e bën këtë raportim jo të zakonshëm mujor, për të treguar se nuk ka vend për krijimin të pasigurisë tek kontribuuesit. Po ashtu FKPK-ja vazhdon t’i qëndrojë strategjisë investuese që synon kthimin pozitiv afatgjatë – që u ilustrua edhe më 2018 kur llogaritë e pensionuara mesatarisht korrën 26% kthim na investimet -, por duke u angazhuar gjithnjë në kërkim të alternativave për mbrojtje edhe nga lëvizjet afatshkurtra.