23.01.2017

€65 mln kthimi bruto nga investimet më 2016

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) e përmbylli edhe një vit me rezultat pozitiv në të gjitha fushat e operimit. Prej 2002 e deri më 2016 kthimi bruto nga investimet e FKPK-së ka arritur në 305 milionë euro me një rritje të çmimit të njësisë prej 38% për këtë periudhë. Ndërsa për vitin 2016 kthimi bruto nga investimet ishte 65 milionë euro dhe çmimi i njësisë u ngrit për 4.4%.

Ky rezultat pozitiv u arrit në një vit i cili ishte mjaft sfidues për shkak të një ambienti ekonomik me norma të ulëta të interest dhe me çka asetet me risk të ulët nuk u shpërblyen mjaftueshëm; me tregun evropian të aksioneve i përballur me paqartësitë e rezultatit të BREXIT, dhe me gjendjen nervoze të aksioneve në nivel global në pritje të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe ndryshimeve të mundshme të politikës monetare nga FED.

Përkundër luhatshmërive dhe sfidave, tregjet financiare ia dolën mjaft mirë  dhe shumë indekse arritën të dalin në territor pozitiv vetëm gjatë muajit të fundit të vitit. Kjo performancë u mbështet nga përmirësimi gradual i treguesve ekonomikë në nivel global, së bashku me ngritjen e çmimit të naftës.

Në këtë rast Bordi Drejtues është mjaft i kënaqur me performancën e investimeve, e cila provoi qëndrueshmërinë dhe efektivitetin e strategjisë investuese në fuqi, duke ofruar kombinim të stabilitetit dhe kthimit përmes balancimit të investimeve dhe diversifikimit.

Mjetet nën menaxhim

Përveç performancës së investimeve, këtë vit kishim rritje rekorde të mjeteve nën menaxhim dhe kontributeve të arkëtuara. Gjithashtu FKPK-ja ka vazhduar me përmirësimin e shërbimeve ndaj kontribuuesve, duke zgjeruar shërbimin me katër banka komerciale për pagesën e pensioneve në faza, derisa numri i kontribuuesve njohu rritje domethënëse.

Në fund të 2016-s mjetet neto që FKPK-ja kishte nën menaxhim iu afruan vlerës së 1.42 miliardë eurove, ose një rritje prej 189 milionë euro nga fund viti i kaluar. Në rritjen e mjeteve nën menaxhim ndikuan: kontributet e reja me 152 milionë euro dhe kthimi nga investimet prej 65 milionë euro. Ndërkohë për të njëjtën periudhë: për pension u shpaguan 19 milionë euro, për tarifa menaxhuese 6 milionë euro dhe u refonduan 2 milionë euro.
Me rritjen e mjeteve nën menaxhim FKPK-ja angazhoi edhe tre aset-menaxherë shtesë gjatë vitit: BNP Paribas IP Parvest, Amundi dhe Schroders GDG, me instrumente investuese në multi-asete.

Të pensionuarit

Këtë vit ishin edhe 4,447 përfitues të rinj të pensionit që tërhoqën rreth 19 milionë euro. Prej themelimit e deri më tani numri i të pensionuarve shkoi në 33,609 dhe vlera që kanë tërhequr këta përfitues të pensionit ka qenë rreth 91 milionë euro.

Kontribuuesit

Numri i kontribuuesve njohu rritje më të fortë më 2016. Numri i llogarive në total u shtua për 33,960 dhe arriti në 541,923. Ndërsa numri i llogarive aktive u shtua për 15,235 dhe arriti në 312,681. Detajet e arsyeve të numrit të kontribuuesve në total dhe aktivë do të prezantohen në Raportin Vjetor 2016.

Numri i kontribuuesve sipas sektorëve*

Lloji i ndërmarrjes 2016

2015

Organizata buxhetore 87,501 85,258
SH.P.K.         105,419 90,477
Biznes Individual           71,941 71,840
Shoqëri aksionare 26,173 25,537
OJQ           13,888 11,985
Ortakëri             5,179 5,682
Ndërmarrje shoqërore           3,589 3,396
Ndërmarrje publike 835 267
Të vetëpunësuar 30,275 30,393
Të tjerë 9,438 7,109

*Një person mund të numërohet (përsëritet) në më shumë se një kategori

Përmbledhja e fakteve më të rëndësishme për dy vjetët e fundit:

Faktet Më 31 dhjetor 2016

Më 31 dhjetor 2015

Kthimi bruto nga investimet për vitin €64.6 milionë euro €29.6 milionë euro
Mjetet neto nën menaxhim €1,417,970,874 €1,229,333,327
Çmimi i aksionit €1.3756 €1.3171
Kontribute të arkëtuara gjatë vitit €151.5 milionë €137.5 milionë
Pensione të shpërndara gjatë vitit €19.2 milionë €19.3 milionë
Të pensionuar gjatë vitit 4,445 4,610
Llogari të kontribuuesve 541,923 507,963
Kontribuues aktivë 312,681 297,446
Investimet në Kosovë në fund të vitit €98,711,036 €95,654,197
Shërbime të ofruara 81,514 72,266
Taksa operacionale 0.082% 0.085%
Pensione të shpërndara prej  themelimit €90.6 milionë €71.4 milionë
Të pensionuar prej themelimit 33,609 29,162