16.01.2024

+87.7 milionë euro kthimi bruto për 2023

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e përmbylli vitin 2023 me +87.7 milionë euro kthim bruto nga investimet. Ky ishte viti i 19-të, nga gjithsej 22 vite të operimit, ku institucioni del me rezultat pozitiv nga investimi i kursimeve pensionale. Kjo shpiu në +750 milionë euro kthim të gjithmbarshëm bruto prej themelimit.

Arkëtimi i kontributeve të reja në 2023-shin, në vlerë 286 milionë euro, pasqyron një rritje rekorde krahasuar me vitin paraprak, si në vlerë nominale (+44 milionë euro) por edhe si përqindje (+18.2%).

Kontributet e reja, bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të FKPK-së të rriten sivjet për +291 milionë euro dhe ta kështu tejkalojnë vlerën e 2.7 miliardë eurove.

 

Tabela 1: Ndryshimi i mjeteve neto nën menaxhim

Portofoli 2023 2022 Ndryshimi
Standard €2,570,540,691 €2,316,363,920 €254,176,771
Konservativ €131,267,932 €94,812,043 €36,455,889
Gjithsej €2,701,810,646 €2,411,177,985 €290,632,660

Sikurse e kemi bërë të ditur vitin e kaluar, FKPK-ja prej vitit 2022 operon me dy portofole investuese: (1) Portofolin Standard – për kontribuuesit nën moshën 63 vjeçare; dhe (2) Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e sipër; dhe raportimet për këto dy portofole, që edhe kanë performancë të ndryshme, bëhen të ndara.

 

Tabela 2: Kthimet bruto nga investimet për 2021-2023

Portofoli 2023 2022 2021 2021-2023
Standard €83,010,837 -€121,600,526 €227,333,617 €188,743,928
Konservativ €4,652,708 €2,719,123 €7,371,831
Gjithsej €87,663,545 -€118,881,403 €227,333,617 €196,115,759


PORTOFOLI STANDARD
Performanca e investimeve për Portofolin Standard për vitin 2023 ishte +3.05% (2022: ‑5.54%; 2021: +10.65%). Synimi i këtij portofoli është që në afatgjatë ta tejkalojë indeksin e çmimeve të konsumit (ndryshe inflacionin) në Kosovë. Aktualisht çmimi i njësisë së këtij portofoli është ngritur për 67.6% prej themelimit, ndërsa inflacioni në Kosovë për 70.2%.

Bordi Drejtues, i emëruar në detyrë prej 13 korrikut 2023, e ka ruajtur përgjithësisht qasjen e ndërmarrjes së riskut të ulët në investimet e Portofolit Standard nga Bordi paraprak. Kjo meqë gjendja e përgjithshme ekonomiko-financiare dhe gjeopolitike ishte dukshëm e ngarkuar nga ngjarje me potencial të lartë të ndikimit negativ në performancën investuese. Kjo qasje pritet të rishikohet gjatë vitit 2024.

 

PORTOFOLI KONSERVATIV
Në Portofolin Konservativ kishim ngritje prej +3.47% të çmimit të njësisë për vitin 2023 (2022: +2.94%). Për shkak se investimet e këtij portofoli janë vetëm në fletobligacionet e Qeverisë së Kosovës ato nuk ndikohen nga ndryshimet në tregjet financiare, rrjedhimisht kanë stabilitet më të lartë. Kthimi bruto i këtij Portofoli nga fillimi (shkurt 2022) ka arritur në 5.1 milionë euro. Qëllimi i këtij portofoli është që të ruajë vlerën e kursimeve pensionale nga lëvizjet në tregjet financiare të kontribuuesve që janë shumë afër pensionimit dhe nuk mund të kenë kohë të mjaftueshme të rikuperimit nga luhatjet e forta negative në tregjet financiare globale.

 

PRITSHMËRITË PËR 2024

Ekziston një vlerësim që ngritja e përgjithshme ekonomike globale për vitin 2024 do të jetë rreth 2.4%. Ky parashikim vlerëson se kështu do të jetë viti i tretë rresht që ekonomia globale do të ketë regres në ngritjen ekonomike. Nën këto kushte, dhe në vlerësim të rreziqeve gjeopolitike në rritje, Bordi Drejtues i FKPK-së pritet të vazhdojë me vendime investuese që ndërmarrin risk të moderuar investues. Gjithsesi se vendimi më i rëndësishëm i vitit në vijim do të jetë inicimi i zbatimit të portofolit të tretë investues, për të cilin do të ketë njoftime të detajuara para fillimit të tij.


Tabela 3: Përmbledhje e treguesve kryesorë për 2021, 2022 dhe 2023

TREGUESI 2023 2022 2021
Kthimi bruto për vitin (dyja portofolet) +€88 milionë -€122 milionë +€227 milionë
Kthimi bruto prej themelimit +€750 milionë +€662 milionë +€784 milionë
Mjetet neto nën menaxhim €2,700 milionë €2,400 milionë €2,353 milionë
Çmimi i njësisë – Portofoli Standard €1.6764 €1.6268 €1.7222*
Çmimi i njësisë – Portofoli Konservativ €2.1302 €2.0588*
Kontribute të arkëtuara për vitin €286 milionë €241 milionë €212 milionë
Pagesa të pensioneve për vitin €66 milionë €55 milionë €68 milionë
Të pensionuar gjatë vitit 7,703 7,131 7,239
Llogari të pjesëmarrësve 834,251 792,995 752,523
Llogari aktive për vitin 442,383 428,891 419,657
Mjete në tregjet globale €2,013,518,137 €1,689,250,011 €1,808,309,791
Mjete në fletobligacionet e Kosovës €447,135,504 €553,752,102 €491,503,672
Mjete në bankat në Kosovë €92,533,913 €137,916,925 €44,776,195
Paraja e gatshme €149,901,531 €31,133,146 €9,313,041
Tarifa për investime 0.32% 0.32% 0.32%
Tarifa për operacione 0.05% 0.057% 0.065%

*Portofoli Standard ka filluar më 1 gusht 2002 me çmimin fillestar 1.00 për njësi.
 Portofoli Konservativ ka filluar më 16 shkurt 2022 me çmimin fillestar 2.00 për njësi.