Auditimi i Trustit Pensional nga Zyra Kombëtare e Auditimit vlerësohet i rëndësishëm
Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe përfaqësuesit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës e vlerësojnë të rëndësishëm Auditimin e Trustit Pensional në të ardhmen nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).
Ky konstatim u bë në takimin e përbashkët të Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Besnik Osmani dhe Kryesuesit të Bordit Drejtues, Ruzhdi Morina në të cilin morën pjesë edhe Anëtari i Bordit Drejtues, Ymer Ymeri dhe Drejtori Menaxhues, Adrian Zalli.
Me këtë rast Osmani i njoftoj mysafirët me punën audituese që është duke e kryer Zyra Kombëtare e Auditimit dhe u bisedua edhe për mundësitë për auditimin e TRUST-it nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).
Në këtë takim u vlerësua lartë gatishmëria e drejtuesve të TRUST-it të cilët kanë shprehur kërkesën e përfshirjes së ZKA-së në auditimin e Pasqyrave Financiare si dhe u bisedua për modalitetet administrative dhe aspektet ligjore të zbatimit të auditimit.
Të pranishmit konstatuan se zbatimi i projektit të auditimit është në interes të drejtuesve të TRUST-it, Kuvendit, qytetarëve dhe se ZKA-ja ka kapacitete të mjaftueshme profesionale për zbatimin e tij.
Në takimin me përfaqësuesit e Bordit të TRUST-it, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani u shoqërua nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Ilir Salihu, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Vlora Spanca dhe Drejtori i Departamentit Ligjor në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Safet Berisha.