13.11.2014

Bordi dërgoi në Kuvend taksën për 2014

Bordi i Drejtues i FKPK-së e ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës për miratim nivelin e taksës menaxhuese për vitin 2014. Taksa menaxhuese, sipas ligjit të ri për fondet pensionale, do të ndahet në taksën operacionale dhe taksën investuese.

Për të financuar aktivitetet operacionale Bordi Drejtues ka vendosur që nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të kërkojë aprovimin e taksës operacionale në nivel prej 0.13% të mjeteve, një ulje kjo nga niveli aktual i 0.15% të mjeteve, të cilin e kishte aprovuar Kuvendi për vitin 2013.

Për të financuar aktivitetet investuese Bordi Drejtues ka vendosur që Kuvendit t’i kërkojë aprovimin e taksës investuese në nivel prej 0.40% të mjeteve, një rritje kjo nga niveli aktual i 0.38% të mjeteve të cilin e kishte aprovuar Kuvendi për vitin 2013.

Marrë në përgjithësi, taksat e propozuara në Kuvend nga Bordi Drejtues janë të nivelit 0.53% e mjeteve, apo njëjtë me nivelin aktual. Përkundër kërkesës për të mbajtur taksat e përgjithshme në nivel të njëjtë me këtë vit, FKPK-ja do të vazhdojë të jetë fondi pensional me taksa shumëfish më të ulëta sesa fondet e definuara pensionale në rajon.