Bordi Drejtues u takua me Guvernatorin e BQK-së
Kryesuesi i Bordit Drejtues i FKPK-së, z. Emanuel Bajra, i shoqëruar nga anëtarët e Bordit Drejtues: znj. Mimoza Mustafa, z. Trim Shala, z. Shpresim Vranovci dhe Drejtori Menaxhues, z. Adrian Zalli, më 26 tetor 2023 mbajtën takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, z. Ahmet Ismaili. Ky takim, përveç se i shërbeu kurtuazisë së dy palëve të emëruara rishtazi, ishte edhe me qëllim të njoftimit me gjendjen e tanishme (por edhe afatgjatë) të sektorit financiar në vend.
Z. Bajra e njoftoi Guvernatorin me aktivitetet dhe planet e FKPK-së, si dhe nevojën për të përmirësuar dhe plotësuar legjislacionin përkatës, që do t’i mundësonte FKPK-së vendimmarrje më dinamike dhe qeverisje që i përgjigjet më mirë kohës.
Nga ana tjetër, Guvernatori Ismaili, përveç se shprehu gatishmërinë e plotë për ta mbështetur FKPK-në, si institucion me peshë të shumanshme për vendin, shpalosi pjesë të planit të tij për zhvillimet e ardhshme në fushën e sektorit financiar, mbikëqyrjes financiare, sistemit të pagesave, tregjeve të kapitalit dhe të edukimit financiar.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë dhe nevojat e bashkëpunimit ndërinstitucional në disa fusha, me qëllim pasurimit të analizave profesionale financiare.
Palët u pajtuan që ta institucionalizojnë bashkëpunimin për një vendimmarrje të arsyetuar me të dhëna dhe modele; gjithnjë në respekt të plotë dhe pa ndikim në kërkesat mbikëqyrëse dhe përherë në pajtim me legjislacionin e aplikueshëm.
Foto nga takimi