30.11.2023

Sqarim për raportimet e mediave për gjendjen e mjeteve të FKPK-së

FKPK-ja i ka përcjell me shqetësim raportimet në disa media të shkruara digjitale dhe llogari në rrjetet sociale gjatë pasdites së 29 nëntorit 2023. Titujt e vendosur në ato raportime për gjoja “rënien/humbjen e vlerës së mjeteve pensionale të FKPK-së për qindra milionë euro për një muaj” (që mendohej për muajin tetor 2023) nuk përkonin aspak me realitetin.

Ky raportim medial ishte i bazuar në një buletin mujor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për muajin tetor 2023, dhe në paragrafin ku bëhej fjalë për ndryshimin e gjendjes së investimeve në tërësi (dhe jo vetëm të fondeve pensionale) në letrat me vlerë të kapitalit në Kosovë. Pra rënia prej 305 milionë euro e investimeve të muajit tetor 2023 krahasuar me shtatorin 2023 nuk ka asnjë ndërlidhje me gjendjen e mjeteve pensionale të FKPK-së.

Edhe BQK-ja është informuar menjëherë për këtë çështje dhe ka rënë dakord për të bërë një sqarim plotësues në raportin përkatës, për të mos lënë hapësirë interpretimi.

Për informim të kontribuuesve dhe gjithë publikut sqarojmë se performanca e investimeve të FKPK-së është aktualisht pozitive për periudhën 1 janar deri më 24 nëntor 2023. Si Portofoli Standard ashtu edhe Portofoli Konservativ kanë rezultat pozitiv nga investimet dhe kthimi i përbashkët neto për këtë periudhë është rreth +31 milionë euro dhe nuk ka vend për shqetësim. Gjithashtu mjetet pensionale nën menaxhim të FKPK-së për këtë periudhë të vitit 2023 janë ngritur për rreth +218 milionë euro. Sidoqoftë, kontribuuesit gjithnjë mund ta konfirmojnë lehtësisht performancën e investimeve të FKPK-së përmes pasqyrës së llogarisë dhe shërbimit eTrusti.

Shpresojmë se ky sqarim do të publikohet tek të gjitha mediat që e kanë raportuar gabimisht lajmin ose së paku do ta korrigjojnë raportimin, meqë mund të kenë shkaktuar shqetësim të panevojshëm (mbase edhe të pavullnetshëm) tek kontribuuesit e FKPK-së.

I lusim mediat që para raportimeve të lajmeve që prekin interesin e kontribuuesve ta kontaktojnë FKPK-në për të marrë sqarimet e nevojshme, në mënyrë që të shmangen keqraportime të tilla.

Gjithnjë duhet pasur parasysh se FKPK-ja aktualisht është institucion me një numër dukshëm të madh të qytetarëve që i mbulon me shërbim (me mbi 850 mijë llogari prej themelimit e deri më tani) dhe kujdesi i mediave për raportime rreth këtij institucioni duhet të jetë maksimal: për t’i konfirmuar raportimet dhe titujt përpara publikimit.