14.12.2023

Komisioni i Kuvendit i miratoi Raportin Vjetor 2022 dhe tarifat e planin për 2024

Komisioni i Kuvendit të Kosovës për Buxhet, Punë dhe Transfere e ka miratuar në mbledhjen e 12 dhjetorit 2023 Raportin Vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) për vitin 2022.

Gjithashtu, po në këtë mbledhje, Komisioni i ka miratuar edhe tarifat menaxhuese (për investime dhe operacione) për vitin 2024 si dhe Planin e Performancës të FKPK-së për vitin vijues.

Ky miratim erdhi pas diskutimeve në Komision, ku FKPK-ja u përfaqësua nga Kryesuesi i Bordit Drejtues, z. Emanuel Bajra, anëtarët e Bordit Drejtues: znj. Mimoza Mustafa, z. Trim Shala dhe z. Shpresim Vranovci si dhe nga Drejtori Menaxhues, z. Adrian Zalli.

Z. Bajra ia prezantoi Komisionit çështjet kryesore nga Raporti Vjetor 2022, duke theksuar sidomos rëndësinë e krijimit të Portofolit Konservativ, në fillim të vitit 2022, me çka të gjithë kontribuuesit e pensionuar gjatë atij viti ishin të mbrojtur nga rënia e tregjeve financiare. Për më shumë që Portofoli Konservativ për vitin 2022 kishte +2.9% ngritje të vlerës.

Gjithashtu z. Bajra njoftoi se përkundër se Portofoli Standard kishte rënie për vitin 2022, me -5.5%, fakti që më 2021 kishim performancë pozitive, +10.7%, dhe për faktin që më 2023 ky Portofol aktualisht ka mbi 2% ngritje, kanë ndikuar që kontribuuesit e FKPK-së të ndjehen të mbrojtur dhe të pa shqetësuar për kursimet pensionale nga situata e rëndë financiare e vitit 2022, që vazhdoi edhe gjatë vitit 2023.

Z. Bajra po ashtu i njoftoi anëtarët e Komisionit se gjithsej tarifat menaxhuese (për investime dhe operacione) për vitin 2024 të propozuara nga FKPK-ja do të uleshin nga 0.370% (që ishin për vitin 2023) në 0.358% e mjeteve pensionale për vitin 2024. Ai po ashtu arsyetoi se këto tarifa propozoheshin si të tilla duke vlerësuar një sërë pritjesh në fushëveprimin e FKPK-së përgjatë vitit 2024.

Bordi i FKPK-së gjithashtu ia prezantoi Planin e Performancës të FKPK-së për vitin 2024, duke e parashikuar operimin e institucionit në kushte të zakonshme. Bordi i FKPK-së e njoftoi Komisionin edhe për një sërë vendimesh që Bordi Drejtues i FKPK-së është duke i marrë me lëvizjen e mjeteve pensionale, brenda dhe jashtë Kosovës, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023, si dhe me shqyrtimet e planifikimet që po bëhen në FKPK për t’i avancuar dhe dinamizuar një sërë procesesh në institucion për vitin e ardhshëm.

Anëtarët e Komisionit diskutuan për të gjitha këto raporte dhe propozime dhe kërkuan sqarime dhe informacione, për të cilat u dhanë shpjegime nga përfaqësuesit e FKPK-së.

Komisioni përgjithësisht i vlerësoi në këtë mbledhje me nota pozitive raportet dhe planet e propozuara dhe i miratoi sikurse ishin prezantuar nga FKPK-ja.