10.02.2015

Drejtuesit e FKPK-së vizitë zyrtare Shqipërisë

Anëtarët vendës të Bordit Drejtues dhe Drejtori Menaxhues, me ftesë nga ISSH, ishin për vizitë zyrtare në Shqipëri me qëllim rritjen e nivelit të bashkëpunimit mes institucioneve pensionale. Delegacioni i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës udhëhiqej nga z. Ymer Havolli, Kryesues i Bordit Drejtues, i shoqëruar nga z. Adrian Zalli, Drejtor Menaxhues dhe z. Ruzhdi Morina e z. Flamur Keqa, anëtarë të Bordit Drejtues.

Delegacioni i FKPK-së fillimisht u prit nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë (ISSH), me në krye znj. Vjollca Braho, ku u zhvillua edhe një takim i përbashkët mes ISSH-së, FKPK-së dhe drejtuesve të Administratës Pensionale të Kosovës. Gjatë takimit udhëheqësit e ISSH-së dhe FKPK-së diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen dhe përgatitjen e një memorandumi të bashkëpunimit mes dyja institucioneve. Veç kësaj, pas diskutimeve dhe dakordimeve, në fund të këtij takimi ISSH dhe Administrata Pensionale e Kosovës e nënshkruan një marrëveshje të bashkëpunimit, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe përafrimin e legjislacionit për nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare për njohjen e periudhave kontribuese në Kosovë e Shqipëri.

Më pas përfaqësuesit e FKPK-së patën takim me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, dhe me Ministrin e Financave, z. Shkëlqim Cani. Takimi kishin qëllim njohës, ku të dy ministrat u informuan me historikun e FKPK-së dhe zhvillimin pozitiv që ka njohur katërmbëdhjetë vjet pas themelimit. Palët ranë dakord që bashkëpunimi në mes të FKPK-së dhe institucioneve pensionale të jetë më i shpeshtë në të ardhmen, për të shkëmbyer përvojat dhe ndihmuar zhvillimin e sistemeve pensionale në shtetet përkatëse.

Foto 1: Gjatë takimit mes ISSH-së, FKPK-së dhe Administratës Pensionale të Kosovës

Vizita_shqipri

 

Foto 2: Drejtues të FKPK, ISSH dhe Administratës Pensionale pas nënshkrimit të marrëveshjes mes ISSH-së dhe Administratës Pensionale të Kosovës

Vizita_shqipri_2