16.01.2013

+€54 milionë kthimi nga investimet në 2012

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) nga investimet e bëra në 2012 kishte kthim nga investimet prej 8%, ose në vlerë nominale 54 milionë euro. Bordi Drejtues e vlerëson performancën e investimeve si shumë të mirë. Arsyeja e këtij kthimi ishte kryesisht falë performancës së tregjeve globale të aksioneve.

Vlera e çmimit të aksionit në fillim të vitit 2012 ka qenë1.0347 dhe në fund të vitit ka arritur në 1.1170 euro.

Strategjia investuese e Bordit Udhëheqës për të plasuar deri në 40% të mjeteve në tregun e aksioneve dhe deri në 60% në tregun e instrumenteve me kthim absolut dhe ato me target inflacionin, bashkë me përzgjedhjen e menaxhuesve të mjeteve, janë dëshmuar të jenë të suksesshme dhe kanë dhënë rezultate pozitive në investime.

1. Pensione të shpërndara

Edhe në 2012 numri i përfituesve të rinj të pensionit vazhdoi të rritet. Përfitues të rinj të pensionit në 2012 ishin 3,264 kontribuues, nga 2,868 që ishin një vit më parë. Kurse vlera e mjeteve të shpërndara për këta përfitues ishte rreth 8.2 milionë euro, e rritur nga rreth 5.7 milionë sa ishte në 2011. Kurse totali i mjeteve të shpërndara për pension, duke përfshirë edhe pagesat e mbetura, ishte rreth 8.7 milionë euro.

Ndërsa, qysh prej themelimit të FKPK-së e deri në fund të 2012-s, numri i të pensionuarve arriti në 16,936, dhe vlera e përgjithshme e mjeteve të shpërndara për këta përfitues shkoi në mbi 28 milionë euro.

Tabela 1: Mjetet e shpërndara për të pensionuarit e rinj në 2010, 2011, 2012
Viti Vlera Numri i të pensionuarve
2010 €4,774,806 2,729
2011 €5,738,591 2,868
2012 €8,157,540 3,264

2. Mjetet nën menaxhim

Sipas të dhënave të bazuar në parimin e keshit (parasë së gatshme) vlera e mjeteve nën menaxhim në fund të 2012-s arriti në mbi 740 milionë euro. Rritja është 152 milionë euro në krahasim me fundvitin 2011 kur ishin 588 milionë euro. Kjo, gjithashtu, është edhe rritja më e madhe e mjeteve nën menaxhim qysh prej themelimit të Fondit të Kursimeve Pensionale. Në këtë rritje ndikuan kontributet e paguara në 2012 me

113 milionë euro, kthimi nga investimet me 54 milionë euro, ndërsa 15 milionë euro ishin daljet për pagesa të pensioneve e refondimeve, si dhe taksa menaxhuese e FKPK-së.

Vlen të përmendet se gjatë vitit 2012 janë investuar për herë të parë në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës rreth 14 milionë euro.

3. Faktet kryesore

Në tabelën 2 paraqiten faktet kryesore të përmbledhura për dy vjetët e fundit. Të dhënat përfundimtare për vitin 2012 do të prezantohen në Raportin Vjetor 2012, pas auditimit të pasqyrave financiare nga auditori i jashtëm profesional, dhe jo më larg se deri në fund të muajit maj.

Tabela 2: Faktet kryesore të përmbledhura

Faktet Më 31 dhjetor 2012* Më 31 dhjetor 2011
1. Kthimi vjetor nga investimet €54,215,565.95 €3,313,641.29
2. Çmimi i aksionit €1.1170 €1.0347
3. Mjetet nën menaxhim €740,160,045.10 €588,169,211.55
4. Pensione të shpërndara €8,157,539.85 €5,738,591.19
5. Përfitues të rinj të pensionit 3,264 2,868
6. Aksione të emetuara 662,262,094.2053 568,472,222.65
7. Kontribuues 401,128 374,811

*Të dhënat përfundimtare për vitin 2012 do të publikohen pas auditimit të pasqyrave financiare