28.02.2022

FKPK-ja implementon portofolin sipas grupmoshave

Bordi Drejtues i FKPK-së, bazuar në përgjegjësitë dhe kompetencat e caktuara me Ligjin mbi Fondet Pensionale dhe në kuadër të strategjisë investuese për mjetet pensionale, në mbledhjen e fundit të muajit shkurt 2022, me qëllim të uljes së luhatshmërisë për kontribuuesit më afër pensionimit, ka shqyrtuar dhe vendosur për funksionalizimin e një portofoli investues shtesë, për personat që janë 18 muaj para moshës së pensionimit.

Vendimi për ndarjen e mjeteve pensionale sipas grupmoshave të caktuara, është i bazuar në Nenin 9.4 të Ligjit mbi Fondet Pensionale 04/L-101 dhe njëherësh është koncept të cilin Bordi Drejtues e ka shqyrtuar një kohë të gjatë dhe ka punuar aktivisht, duke i analizuar faktorët dhe modalitetet e ndryshme të implementimit. Në kuadër të vendimmarrjes për implementimin e ndarjes së kontribuuesve në grupmosha, Bordi Drejtues mori parasysh edhe lëvizjet e fundit në tregjet financiare, situatën jo të qëndrueshme gjeopolitike, por edhe kthimet pozitive nga investimet përgjatë viteve të mëhershme.

Duhet theksuar se krijimi i disa planeve investuese është një risi në sistemin tonë pensional dhe si i tillë është në shërbim të kontribuuesve si mekanizëm mbrojtës. Ndarja e kontribuuesve sipas moshës mundëson që në portofolin bazë (ku do të bëjnë pjesë kontribuuesit më të rinj në moshë) të ketë një strategji investuese me risk dhe kthim potencial në investim më të lartë, pasi mosha e tyre e lejon një qasje të tillë. Ndërsa për planin e sapokrijuar (për kontribuuesit afër pensionimit) investimet do të jenë më konservative, ku synim primar është siguria dhe ruajtja e fitimeve të akumuluara përgjatë viteve. Më konkretisht vendimi është që, në baza mujore,  kontribuuesit që e arrijnë moshën 63.5 vjeçare (apo 18 muaj para moshës se pensionimit) të barten në portofolin investuese të posaçëm i cili në përbërje do të ketë kryesisht Bono të Thesarit të Kosovës (mbi 90%), të cilat ofrojnë kthim konstant në investime pa oscilime të theksuara.

Stafi i FKPK-së është duke punuar që gjatë ditëve në vijim të paraqes në uebfaqen e FKPK-së informatat kyçe që ndërlidhen me planin e sipër përmendur.

Bordi Drejtues beson se me anë të këtij vendimi ka vepruar në mënyrën më të mirë të mundshme për kontribuuesit si për të ruajtur kontributet e akumuluara të tyre ashtu edhe kthimin në investime përgjatë viteve.