Të gjithë kontributpaguesit, që me rastin e arritjes së moshës së pensionimit, kanë mbi 3,000 € (tre mijë euro) të kursyera në FKPK, mjetet e tyre do t’i tërheqin në faza (këste mujore), në përputhje me Ligjin për Fondet Pensionale dhe Rregulloret e BQK-së.
Për tërheqjen në faza, FKPK-ja ka lidhur marrëveshje me bankat komerciale në Kosovë, të cilat e ofrojnë shërbimin e tërheqjes në faza sipas kushteve të përcaktuara në kontratë.
Disa prej kushteve janë:
• Bankat obligohen të hapin Llogari të Kryegjësë (kursimeve) për secilin person të pensionuar në të cilën llogari do të qëndrojnë mjetet e tyre dhe në atë llogari paguhet kamata. Përzgjedhja e bankës bëhet nga kontribuuesi/ja në momentin e aplikimit për tërheqje të kontributeve pensionale.
• Kamata do të përllogaritet në baza ditore dhe do të paguhet në Llogarinë e Kryegjësë në baza mujore, në ditën e fundit të secilit muaj, bazuar në Bilancin e Kryegjësë në çdo ditë të muajit.
• Pagesa e pensionit nga Llogaria e Kryegjësë në Llogarinë Rrjedhëse mbetet e pandryshuar deri në shterrjen e llogarisë bankare të kryegjësë (kursimit).
• Banka është e obliguar që secilin të pensionuar, i cili hap llogari të pagesës (rrjedhëse), ta pajisë me kartelën e debitit (me të cilën do të mund të bëjë tërheqjen e mjeteve nga ATM) pa pagesë.
• Banka do të paguajë, ose do të vë në dispozicion shumën për pagesë, në Llogarinë e Pagesës, jo më larg se ditën e dytë të punës së secilit muaj, në përputhje me udhëzimet e dhëna nga FKPK-ja, deri sa Bilanci i Kryegjësë të zbresë në shumën zero (0).
• Banka është e obliguar që për secilën pagesë mujore të ekzekutuar në llogarinë e pagesës, t’ia zbresë të gjitha tatimet e parapara me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.
• Banka mund të ngarkojë tarifa standarde për transferimin e pagesës mujore në llogarinë e pagesës, e cila nuk është e hapur tek ajo bankë, por pensionisti ka zgjedhur bankë tjeter për pranimin e pensionit, me ç‘rast pagesa që arrin në llogarinë finale zvogëlohet.
• Pensionisti, ose trashëguesit e tij/saj, nuk do të ngarkohen me ndonjë tarifë për lëshimin fillestar të debit kartelës (me të cilën mund të bëhet tërheqja e mjeteve në ATM), e as për lëshimet e mëvonshme të kartelave të skaduara apo për mirëmbajtjen e tyre. Në rast se kontribuuesi zgjedhë të përdorë llogari rrjedhëse ekzistuese dhe jo të hapë llogari e re për pranimin e pagesës fazore, banka do t’i aplikojë tarifat standarde të saj.
• Në rast të vdekjes së Pensionistit, para se Bilanci në Llogarinë e Kryegjësë të zbresë në shumën zero (0), Banka obligohet që, në përputhje me rregulloret dhe ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, pagesat mujore t’i transferojë te trashëgimtari/trashëgimtarët e tij. Banka nuk do të ngarkojë komision për hapjen e Llogarisë së Kryegjësë ose Llogarisë së Pagesës, e as për mirëmbajtjen e Llogarive, ose për kreditimin e Llogarisë së Pagesës me pagesën në rastet kur Llogaria e pagesës është e hapur tek ajo bankë.
Aktualisht, bankat me të cilat FKPK-ja ka marrëveshje janë të listuara me poshtë dhe interesi i tyre është:
• TEB (EURIBOR 6-mujor* +0%) ose 1.5% vjetore, cilado që është më e lartë.
• NLB (EURIBOR 6-mujor* +0%) ose 1.5% vjetore, cilado që është më e lartë.
• BEK (EURIBOR 6-mujor* +0%) ose 1.5% vjetore, cilado që është më e lartë.
• BKT (EURIBOR 6-mujor* +0%) ose 1.5% vjetore, cilado që është më e lartë.
• BPB (EURIBOR 6-mujor* +0%) ose 1.5% vjetore, cilado që është më e lartë.
• PriBank (EURIBOR 6-mujor* +0%) ose 1.5% vjetore, cilado që është më e lartë.
• Credins (EURIBOR 6-mujor* +0.7%) ose 1.7% vjetore, cilado që është më e lartë.
*EURIBOR 6-mujor është norma bazë e interesit me të cilën bankat në Eurozonë i huazojnë para njëra-tjetrës, në euro.
Kushtet e kontratave janë të përshkruara si në vijim në kontratën shembull në linkun në vijim: Kontrata shembull me bankat në Kosovë