Kumtesë për investimet e FKPK-së më 2018
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) sikurse çdo vit deklaron për kontribuuesit dhe publikun informacionet kryesore për vitin e shkuar. Këtu prezantohen të dhënat paraprake, ndërsa shifrat përfundimtare prezantohen në raportin vjetor 2018.
FKPK ka filluar vitin 2018 me mjete nën menaxhim prej 1,634,648, 056 euro dhe e ka përfunduar atë me 1,681,148,925 euro, ose me 46,500,869 euro më shumё. Gjatё kёtij viti FKPK-ja po ashtu ka shpaguar shumёn prej rreth 31.2 milionё pёr kontribuuesit e pensionuar.
Performanca e investimeve gjatë vitit 2018 ishte -5.2%, që erdhi pas kthimit nё investime prej +6.48% pёr vitin 2017. Po ashtu duhet sqaruar se deri nё vitin 2018 ishin 9 vjet të rezultateve pozitive të njëpasnjëshme nga investimet me një kthim bruto tё akumuluar prej 464.8 milionë euro.
Sikurse ëshë deklaruar vazhdimisht, FKPK-ja ёshtё institucion qё investon nё afatgjatë dhe kur merren parasysh periudhat dy a më shumë vjeçare, performanca e investimeve përherë del pozitive, sikurse ilustrohet në të dhënat e tabelës 1. Thënë ndryshe, sa më afatgjatë që shqyrtohen investimet e FKPK-së, aq më e lartë rezulton performanca mesatare vjetore e anualizuar e saj. Kështu, për 10 vjetët e fundit – duke e përfshirë performancën e vitit 2018 – del se FKPK-ja ka pasur kthim vjetor mesatar prej +4.89%.
Tabela 1: Kthimi nga investimet e FKPK-së në 10 vjetët e fundit
Periudha | Kthimi bruto nga investimet | Ndryshimi i çmimit të njësisë | Performanca e anualizuar |
2-vjeçare | +€17.47 milionë | +0.87% | +0.43% |
3-vjeçare | +€82.41 milionë | +5.35% | +1.75% |
5-vjeçare | +€178.71 milionë | +14.51% | +2.75% |
10-vjeçare | +€380.09 milionë | +61.24% | +4.89% |
Pёr tё demonstruar vlerёn e investimeve tё tanishme, por edhe luhatshmërinë e zakonshme të tregjeve, vetёm nё javёn e parё tё janarit 2019 kthimi bruto nga investimet e FKPK-së ka qenë pozitiv për rreth 20 milionë euro.
Faktorët përcaktues të performancës për vitin 2018
Performanca e FKPK-së për vitin 2018 e refleton faktin kryesor qё tё gjitha tregjet financiare e përmbyllen negativisht këtë vit. Deri në fund të tremujorit të tretë 2018 kthimi bruto nga investimet e FKPK-së kishte qenë rreth +22 milionë euro, periudhë gjatës së cilës edhe tregjet financiare kishin qenë në kuota pozitive.
Tremujori i katër i 2018-s pati një rënie të fortë në tregjet financiare për disa arsye kryesore: 1) lufta e ashpër tregtare mes dy ekonomive më të mëdha SHBA-së dhe Kinës (e paprecedent deri atëherë), e shoqëruar kjo me deklarata të ashpra e të vazhdueshme të administratës amerikane ndaj çështjes tregtare dhe humbja e kongresit kundrejt demokrateve, e cila krijonte paqartësi për tregjet financiare; 2) politika shtrënguese monetare të Bankës Qendrore të SHBA-ve si dhe paralajmërimi për rritje të tjera të normës bazë të interesit në vitin në vijim; 3) paqartësitë rreth BREXIT dhe buxhetit fiskal të Italisё; 4) ngadalёsimi i rritjes ekonomike globale, me theks të veçantë i ekonomisë aziatike; si dhe 5) korrigjimi masiv i vlerës së aksioneve botërore, që solli kështu pёrfundimin e ciklit 10 vjeçar me kthime pozitive vjetore në tregjet e aksioneve.
Faktorёt e sipёrpёrmendur bёnё qё luhatshmёria nё indekset kryesore botërore tё jetё e madhe dhe ato tё pёrfundojnё vitin 2018 nё territor negativ, fakt që u reflektua edhe në performancën e FKPK-së. Megjithatë, sikurse ilustrohet në tabelën në vijim, falë strategjisë dhe vendimeve të Bordit Drejtues (ku pjesa dërmuese e investimeve gjatë vitit 2018 u bënë në fletobligacionet qeveritare të Kosovës) performanca e FKPK-së ishte më e amortizuar sesa e indekseve kryesore globale.
Tabela 2: Treguesit e performancës së indekseve kryesore botërore dhe FKPK-së më 2018
Indeksi i bursës | Performanca për vitin 2018 | Risku i matur (Volatiliteti) |
S&P 500 – SHBA | -6.2% | 17.9% |
DAX – Gjermani | -18.3% | 15.6% |
CAC – Francё | -10.9% | 13.8% |
FTSE – Angli | -12.4% | 14.5% |
Nikkei -Japoni | -15.6% | 19.0% |
FKPK | -5.2% | 5.0% |
Portofoli i FKPK-së në vitin 2018 është karakterizuar me stabilitet dukshëm më të qëndrueshëm se tregjet kyçe të aksioneve. Risku i matur i portofolit të FKPK-së (5.0%) ishte afërsisht tri herë më i vogël sesa i indekseve kyçe të tregut të aksioneve.
Reduktimi i riskut dhe investimet në Kosovë
Duke e analizuar retorikёn e luftёs tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës, dhe duke qenë të vetëdijshëm për pasojat e saj, Bordi Drejtues i FKPK-sё nga fundi i vitit 2017, e pёrgjatё gjithё vitit 2018, mori vendim qё mos të plasonte fonde të reja në tregjet financiare ndërkombëtare, por t’i orientonte të njëjtat nё Kosovё. Për herë të parë FKPK-ja nё fund 2018-s pati rreth 300 milionë euro të investuara në Kosovë (ose rreth 20% të totalit të mjeteve). Kjo u arrit si pjesё e rritjes se kërkesës për fonde nga Qeveria e Kosovës – nё tё cilat FKPK-ja ka marrё pjese sistematikisht në secilin ankand, por edhe nga bankat në vend, qё e rriten interesin për thithjen e fondeve nga FKPK-ja. Nё përgjithësi mjetet me risk mё tё ulёt (keshi, depozitat me bankat lokale, letrat me vlerë të Kosovës dhe tregu i parasё) ishin rreth 514 milionë euro ose 30.6% a totalit të mjeteve nё fund tё 2018-s, përderisa një vit më parë ishin 195.3 milionë ose 12% e mjeteve.
Konkluzion
Bordi Drejtues vlerёson se performanca e investimeve të FKPK-së, kur merren parasysh kushtet tejet sfiduese nё tregjet financiare: me dhjetorin më të keq në histori të tregjeve financiare dhe momentin kur ndodhi kjo rënie, ishte e pashmangshme në terma të performances vjetore. Kjo meqë qysh në javën e parë të 2019-s çereku i kësaj rënie është rikuperuar.
Krahas kësaj, duhet përsëritur se nisur nga mosha mesatare e kontribuuesve të FKPK-së, prej 41 vjeç, mjetet investohen me këndvështrimin afatgjatё. Pavarësisht performancës negative të një viti të vetëm, strategjia investuese në fuqi do t’i arrijë rezultatet e dëshiruara për të gjithë kontribuuesit në periudhë afatgjatë – sikurse është dëshmuar nga performanca kumulative pozitive e investimeve të FKPK-së prej themelimit e deri në fund të 2018-s.