13.02.2018

Kumtesë: zhvillimet e fundit në tregjet financiare dhe implikimet në performancën e FKPK-së

Bordi Drejtues i FKPK-së, të hënën më 12 shkurt 2018, mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme për t’i vlerësuar zhvillimet e fundit në tregjet financiare si dhe pritjet për to në afat të shkurtër.

Sa kanë rënë tregjet globale financiare?

Pas krizës financiare të viteve 2007-2008, tregjet financiare janë karakterizuar me një periudhë të gjatë të rikuperimit si dhe disa periudhave të vështira afatshkurtra. Krahas ngritjeve të qëndrueshme të instrumenteve financiare (aksionet dhe fletobligacionet) periudha e korrigjimit që ndodhi në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit ishte e pritur.

Kështu, krahas rënieve të aksioneve globale prej 8-10% që nga 23 janari 2018, vlera e fletobligacioneve të cilësisë së investueshme u ul me 1%, ndërkaq vlera e fletobligacione me normë të lartë (më pak cilësore) u ul me 3%. Dhe, në këto raste, me përjashtim të mbajtjes së mjeteve në bankë, nuk po ekzistojnë klasa të paprekura të investimeve.

Si është reflektuar kjo në performancën e FKPK-së?

Që prej vitit 2011, dhe në veçanti gjatë viteve 2016 dhe 2017, Bordi ka alokuar gjithnjë e më shumë mjete tek fondet me multi-asete dhe me menaxhim aktiv risku (47% në janar 2018), si pjesë e strategjisë së Bordit që synon luhatshmëri të ulët të performancës, pjesëmarrje domethënëse në fitime kur tregjet ngrihen, por edhe minimizim të ndikimit të tregjeve kur ato bien.

Dhe kjo strategji pikërisht është shpërblyer me rastin e rënieve të sipërpërmendura, ku ulja e çmimit për njësi të FKPK-së gjatë kësaj periudhe ishte -4.7%, apo -2.7% nga fillimi i vitit. Megjithatë, performanca për 1 vit mbetet pozitive me +3%.

Çfarë po i shkakton rëniet?

Pas një ritmi shumë pozitiv gjatë viteve 2016-2017, vlerat e aksioneve ishin rritur në vazhdimësi, duke arritur nivelet më të larta historike.

Mund të thuhet se rëniet janë shkaktuar nga parashikimet se inflacioni në SHBA të rritet, sepse papunësia e ulët dhe ngritja e pagave për 2.9% në SHBA, por edhe politika e re fiskale e hyrë në fuqi, pritet të shtojnë riskun e rritjes së inflacionit.

Rritja më e theksuar e inflacionit do të shkaktonte rritje më të përshpejtuar të normave të interesit të FED-it amerikan sesa që pritej, gjë që në afatgjatë do të ndikonte negativisht në vlerën e fletobligacioneve, ndërkaq në afat të shkurtër do të ndikojë negativisht edhe në tregun e aksioneve.

Falë edhe matësve si Koeficienti Çmim/Fitim (i korporatave) që kishte mbërritur në nivele rekorde, vlerësohej se aksionet në përgjithësi, dhe në veçanti ato në SHBA, mund të ishin të mbivlerësuara; andaj po vlerësohet se kjo çfarë po ndodhë këtyre ditëve në tregjet e aksioneve është një korrigjim në raport me fitimet e korporatave.

A pritet që rëniet të vazhdojnë?

Korporatat e mëdha si dhe bankat e mëdha botërore në masë të madhe janë të shëndosha dhe me nivel të mjaftueshëm likuiditeti, dhe nuk ka ngjashmëri me krizën financiare të vitit 2008.

Pjesa më e madhe e korrigjimeve besohet se tashmë kanë ndodhur, dhe përderisa në javët në vijim edhe mund të ketë një rënie të vogël shtesë për t’i përmbyllur korrigjimet, megjithatë pritet stabilizim dhe kthim i performancës në nivel pozitiv për vitin.

Gjithsesi këto pritje bazohen në atë që institucionet ndërkombëtare në raportet e tyre theksojnë se ekonomitë e shteteve të zhvilluara po tregojnë stabilitet makroekonomik.

Cilat janë hapat e radhës?

Komisioni i Investimeve i Bordit Drejtues do të takohet edhe javën e ardhshme për ta vlerësuar gjendjen, ndërkohë që Njësia për Investime dhe Risk do të vazhdojë t’i monitorojë në baza ditore ndodhitë në tregjet globale.

Sa i përket pozicionimit të investimeve, FKPK-ja aktualisht ka të alokuar: a) 47% të mjeteve tek fondet me multi-asete; b) 33% në aksione (nga të cilat 10% me menaxhim aktiv risku); c) 11% në obligacione; dhe d) 9% në tregje të parasë dhe kesh.

Bordi beson se pozicionimi i FKPK-së (me 23% në aksione drejtimore dhe 77% në instrumente me më shumë mbrojtje), është i duhur për të përshkuar suksesshëm dhe me maturi në vlera pozitive për vitin.

Prishtinë, 13 shkurt 2018