04.11.2022

Kuvendi i Kosovës e miratoi Raportin Vjetor 2021

Në seancën plenare të 27 tetorit 2022 Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka shqyrtuar Raportin Vjetor për vitin 2021 të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Ky raport u prezantua në Kuvendin e Kosovës nga Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, z. Armend Muja. Z. Muja deklaroi se ky Komision e ka mbështetur unanimisht këtë raport meqë Trusti Pensional ka pasur performancë të shkëlqyer për vitin 2021. Ai po ashtu ka thënë se vetëm në vitin 2021 ka pasur kthime pozitive në vlerë prej 227 milionë euro, duke qenë kthim rekord prej themelimit të institucionit.

“Marrë në tërësi nga Trusti Pensional kthimi nga investimet është në vlerë prej 782 milionë euro në 20 vjetët e fundit, që përbën rreth 25% të Fondit në tërësi. Shpenzimet operacionale në 20 vjetët e fundit kanë qenë rreth 30 milionë euro, dhe marrë parasysh performancën në kthim në investime, mendoj që është një nga institucionet, i cili me shpenzime të vogla operacionale ka arritur që të ketë një performansë të mirë buxhetore”, është thënë nga z. Muja.

Pas këtij deklarimi Kuvendi i Kosovës e ka votuar me 68 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër Raportin Vjetor për vitin 2021 të FKPK-së.