07.07.2014

Nordea dhe Kleinwort Benson i shtohen listës së fondeve investuese

Bordi Drejtues i FKPK-së ka vendosur që listës së menaxhuesve të fondeve të hapura investuese, përmes të cilave investohen mjetet pensionale, t’i shtohen edhe Nordea dhe Kleinwort Benson Investors. Sa i përket Nordea-s është investuar në dy fonde të saj: 1) 30 milionë euro me Nordea-1 Global Stable Equity Unhedged që tregton me aksione; dhe 2) 40 milionë euro me Nordea-1 Stable Return Fund X EUR që tregton me multi-asete. Ndërsa përmes Kleinwort Benson janë investuar 40 milionë euro në fondin International Dividend Plus Developed Equity Fund, fond ky i cili tregton me aksione të korporatave (të shteteve të zhvilluara) të cilat paguajnë dividendë.

Këto investime erdhën pas ndryshimit të strategjisë investuese për mjetet pensionale nga Bordi Drejtues i FKPK-së në fund të vitit të kaluar dhe pas përzgjedhjes së fondeve investuese me konkurs ndërkombëtar në gjysmëvjetorit të parë të këtij viti. Ndërkohë, gjatë tremujorit të tretë pritet finalizimi i marrëveshjeve edhe me menaxhuesit e fondeve të tjera investuese të përzgjedhura provizionalisht nga konkursi i sipërpërmendur. Totali i investimeve të reja pritet të kalojë vlerën e 200 milionë eurove.

Për dijeni, Nordea është grupi më i madh financiar në Evropën Veriore dhe e ka selinë në Stokholm të Suedisë. Nordea ka filluar se operuari më 1830, dhe në fund të vitit 2013 kishte 630 miliardë euro mjete nën menaxhim dhe kishte afro 30 mijë të punësuar. Prej 1992-s Nordea ka hyrë në tregun e menaxhimit të mjeteve dhe prej 2004-s ka ofruar menaxhimin e produkteve me kthim absolut.

Ndërsa Kleinwort Benson Investors është një menaxhues mjetesh institucional me seli në Dublin të Irlandës, dhe është pjesë e Kleinwort Benson Group. Kjo ndërmarrje menaxhon mjetet e investitorëve institucional që nga 1980-a, dhe aktualisht ofron strategji të specializuara për skemat pensionale publike dhe të korporatave. Në fund të vitit 2013 Kleinwort Benson Investors kishte nën menaxhim 5.4 miliardë euro.