29.04.2016

Përfaqësues të FKPK-së takohen me Ministrin e Financave

Anëtarë të Bordit Drejtues dhe Drejtori Menaxhues i FKPK-së janë takuar me Ministrin e Financave të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti. Në emër të FKPK-së takimin e hapi z. Ymer Havolli, Kryesues i Bordit Drejtues, i cili e njoftoi z. Hoti me performancën e investimeve të FKPK-së, por edhe me pritshmëritë e vitit vijues.

Tema kryesore e takimit ishte procesi i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit Nr. 04/L-101, që, sipas Ministrit Hoti, pritet së shpejti të dërgohet në Kuvend për shqyrtim. Ndryshimet e pritshme në ligj do të prekin pjesën e investimeve, për t’i dhënë mundësi FKPK-së për më shumë fleksibilitet dhe përshtatje me zhvillimin e institucionit qysh prej miratimit fillestar të ligjit. Gjithashtu, me këto ndryshime, do të rirregullohen edhe aspekte të funksionimit të Bordit Drejtues dhe komisioneve përkatëse.

Në takim u diskutua edhe për çështjen e ofrimit të tërheqjes në faza nga bankat, angazhimin e përfaqësuesit të Qeverisë së Kosovës në Bord, dhe për nevojën e FKPK-së për zgjerimin e hapësirës së operimit.

Foto: takimi i përfaqësuesve të FKPK-së me Ministrin e Financave

Takimi_FKPK-MinFin