Presidenti i vendit pret në takim Kryesuesin e Bordit
Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Bordit Drejtues të FKPK-së, z. Ymer Havolli, i cili në takim ishte i shoqëruar edhe nga anëtarë të tjerë të Bordit dhe Drejtori Menaxhues.
Në takim z. Havolli e ka njoftuar Presidentin për zhvillimet e fundit të institucionit, veçanërisht në fushën e investimeve, duke deklaruar stabilitetin e vazhdueshëm që institucioni po tregon. “Nga investimi i mjeteve të FKPK-së në tregjet financiare, prej 1 janar 2016 e deri më 31 gushti 2016, kthimi bruto nga investimet është rreth 60 milionë euro, dhe presim që deri në fund të vitit të vazhdojë kjo performancë tejet pozitive”, ka deklaruar z. Havolli. Po ashtu z. Havolli ka potencuar faktin se prej vitit 2003, kur janë bërë investimet e para, e deri në gusht 2016 FKPK-ja ka një kthim bruto nga investimet prej rreth 300 milion euro. Përveç këtyre, z. Havolli e ka njoftuar edhe me numrin e kontribuuesve, që tashmë ka kaluar shifrën gjysmë milioni, si dhe me vlerën e pensioneve të tërhequra prej themelimit të FKPK-së, që deri në fund të këtij viti do t’i afrohet shifrës së 100 milionë eurove.
Nga ana tjetër, Presidenti Thaçi, e ka përgëzuar z. Havolli për punën e suksesshme dhe profesionale në Trustin Pensional dhe i ka ofruar përkrahje të parezervë si President i vendit. “Po dërgoni mesazh të mirë për të gjithë, dhe Zyra e Presidentit do t’ju përkrah gjithnjë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Foto nga takimi i Presidentit të vendit me Kryesuesin e Bordit: